Lidhje

Përparësitë ekonomike të Presidentit të zgjedhur Obama


Një këshilltar i lartë i Presidentit të zgjedhur Barak Obama thotë se zoti Obama do të punojë për një axhendë ambicioze ekonomike për të nxjerrë vendin nga recesioni dhe për të hedhur themelet për një zhvillim ekonomik afat-gjatë.

Ekonomia amerikane është keqësuar ndjeshëm që kur Barak Obama fitoi zgjedhjet presidenciale më 4 nëntor. Ritmet e papunësisë janë rritur, kanë rënë shpenzimet e konsumatorëve dhe ekonomia po tregon shifra negative më të thella. Si rezultat i këtij keqësimi, lind pyetja: a do ta detyrojë gjendja ekonomike presidentin e ardhshëm t’i shmanget strategjisë ekonomike që kishte parashtruar gjatë fushatës dhe të hartojë një strategji të re? Për momentin duket se jo.

Në komentet në programin televiziv “Takim me Shtypin,” këshilltari i lartë i zotit Obama David Axelrod tha se presidenti i zgjedhur vazhdon t’i përmbahet angazhimit për të reformuar kodin e taksimit në Shtetet e Bashkuara dhe për të nxitur hapjen e vendeve të reja të punës përmes angazhimit të qeverisë:

“Çdo ekonomist, qoftë me prirje të majta apo të djathta, pohon se duhet të bëjmë diçka të fuqishme që të hapim vende të reja pune, por ne duam ta realizojmë këtë në një mënyrë që të japë ndikim afatgjatë. Prandaj po diskutojmë mundësinë e projekteve në energjinë alternative që do të na ndihmojnë të sigurojmë pavarësinë energjetike. Po diskutojmë rindërtimin e mjediseve mësimore dhe pa dyshim infrastrukturën: pra rindërtimin e urave të vjetëruara dhe të rrugëve e mbikalimeve. Këto projekte do të hapin vende pune, por edhe do ta forcojnë ekonominë tonë në periudhën afatgjatë.”

Zoti Axelrod tha se presidenti i zgjedhur Obama do të përmbushë gjithashtu një tjetër premtim të fushatës për të vënë në zbatim shkurtime taksash për klasën e mesme në kuadër të planit të tij të përgjithshëm për ta bërë më progresist kodin e taksimit në Shtetet e Bashkuara. Kostoja totale e programit të zotit Obama për nxitjen e zhvillimit ekonomik pritet të arrijë në qindra miliarda dollarë.

Si President, zoti Obama do të gëzojë një shumicë demokrate edhe më të madhe se aktualisht në të dyja Dhomat e Kongresit, gjë që do ta ndihmojë të vërë në zbatim axhendën e tij. Por ai nuk do të ketë shumicën absolute që do të shmangte manovra parlamentare nga republikanët për të bllokuar projekt-ligjet që kërkon të miratojë presidenti. Shumë ligjvënës republikanë vazhdojnë të kundërshtojnë idenë e rritjes së taksave në çdo formë, veçanërisht gjatë një periudhe recesioni. Ata argumentojnë se plani i zotit Obama për të mos rinovuar shkurtimet e taksave që kishte vënë në zbatim Presidenti Bush, do të rezultojë në rritje masive taksash për disa amerikanë.

Në komentet në programin televiziv “This Week” të rrjetit ABC, senatori republikan Bob Korker nga shteti Tenesi, tha se ekonomia ka nevojë mbi të gjitha për riaktivizimin e sistemit të kreditit në mënyrë që sektori privat të rifillojë prodhimin:

“Ndihma më e madhe që mund të japim ne, gjë që e kam perjetuar edhe në shtetin tim, është të riaktivizojmë tregjet e kreditit në mënyrë që bankat lokale të funksionojnë përsëri dhe të japin kredi për bizneset e vogla, të cilat krijojnë vende pune.”

Por Senatori nga shteti Ohajo, Sherud Braun shprehu pikëpamjet e shumë demokratëve të tjerë, në komentet se ekonomia nuk mund të rimëkëmbet pa marrë një shtysë të fuqishme dhe se qeveria federale është i vetmi entitet që ka fuqinë ta ofrojë këtë shtysë në këto momente. Senatori Braun i bëri komentet në emisionin “This Week”.

“Kur shohim sa kanë rënë shpenzimet e konsumatorëve, veçanërisht në sezionin e Krishtlindjes, dhe duke e pasur parasysh se 70 për qind e ekonomisë mbështetet tek shpenzimet e konsumatorëve, e kuptojmë se kemi nevojë për një shtysë reale që njerëzit të rifillojnë të shpenzojnë para. Kjo nënkupton investime fondesh në infrastrukturë dhe në sistemin e shërbimeve komunale.”

Sipas analistëve, ekonomia amerikane mund të ketë hyrë në recesion që në dhjetor të vitit të kaluar. Problemet që filluan me sekuestrimin nga bankat të shtëpive në rastet kur nuk shlyhej kredia, morën më pas formën e një krize të vërtetë finaniare që ka përfshirë gjithë botën dhe që shumë ekonomistë besojnë se do të shndërrohet në një recesion të thellë global. //ad//

XS
SM
MD
LG