Lidhje

SHBA, përpjekje diplomatike për zgjidhjen e krizës në Gazë

  • Dejvid Gollast
  • Departamenti Shtetit

Administrata e Presidentit Bush dje i shtoi përpjekjet e diplomacisë përmes telefonatave, që synojnë ndalimin e qëndrueshëm të luftimeve në Gazë. Ndërkohë, analistët thonë se kriza e Gazës i ka ndërlikuar shpresat për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme për Presidentin e zgjedhur Barak Obama.

Kur kanë mbetur më pak se tre javë nga qëndrimri i Presidentit Bush dhe sekretares Rajs në post, ata po përdorin të gjitha mjetet e mundshme politike për rikthimin e marrëveshjes së paqes në Gazë, si dhe për të ruajtur arritjet e realizuara gjatë përpjekjeve intensive një-vjeçare për vendosjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ndërsa ka fajësuar vetëm Hamasin për krizën, administrata amerikane po i bën thirrje Izraelit të shmangë viktimat mes civilëve në Gazë dhe po u kërkon vendeve të rajonit të përdorin ndikimin e tyre për rikthimin e qetësisë në Gazë.

Presidenti Bush i telefonoi dje mbretit Abdullah të Jordanisë, ndërsa sekretarja Rajs vazhdoi një sërë telefonatash, mes të tjerësh, me Minsitren e Jashtme izraelite Xipi Livni, me Ministrin e Jashtëm egjiptian Ahmed Abul Geit dhe Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Saud al–Fezal.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në detyrë, Gordon Duguid tha se qëllimi i këtyre përpjekjeve diplomatike është rikthimi i marrëveshjes së paqes në Gazë, afati i së cilës skadoi këtë muaj, por me një fund që u shoqërua me hedhjen e raketave në Izrael, gjë që nxiti ofensivën e Tel Avivit.

"SHBA po punojnë në mënyrë aktive për rikthimin e marrëveshjes për ndalimin e luftimeve. Përgjegjësia për shkeljen e marrëveshjes qëndron tek Hamasi. Ky i fundit duhet t’i ndalë sulmet me raketë dhe ne besojmë se marrëveshja e paqes mund të rivendoset. Por ajo duhet të jetë e qëndrueshme,"- tha ai.

Sekretarja Rajs telefonoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, shefin e diplomacisë të BE-së Havier Solana dhe Minsitrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, anëtarët e tjerë të rëndësishëm të Quartetit të Paqes për Lindjen e Mesme.

Zonja Rajs, po ashtu po e informon ekipin e tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Barak Obama dhe ndihmësit e Sekretares së ardhshme të Shtetit Hillari Klinton lidhur me hapat e saj diplomatikë me Gazën.

Analistët politikë në SHBA thonë se Izraeli e llogariti ofensivën e tij në Gazë, në mënyrë të tillë që ndërhyrja ushtarake të përfundonte para se zoti Obama të vijë në pushtet në 20 janar. Por ata thonë se ofensiva i ka zbehur shpresat për përparim të shpejtë drejt një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Në një konferencë telefonike me gazetarët, analisti në Këshillin amerikan të Marrëdhënieve me Jashtë, Daniel Senor, ish-zëdhënësi kryesor i SHBA-së në Irak, tha se Izraeli nuk do të ishte i gatshëm të shqyrtonte tërheqjen nga Bregu Perëdnimor, në se nuk shmanget rreziku në Gazë.

"I gjithë nocioni i një zgjidhjeje për ekzistencën e dy shteteve, përsa u përket izraelitëve, ka hyrë në rrugë të mbarë. Ajo që unë dua të them, është se në se Izraeli nuk mund të bindet se SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar do t’i lejojë ata, të mbrohen ndaj sulmeve nga Gaza, atëhere mendoj se Perëndimi dhe komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të presin një proces serioz, i cili do të përfshinte gjithashtu mosangazhimin nga Bregu Perëdnimor",- tha ai.

Edhe analisti tjetër amerikan nga Nju Jorku, Steven Cuk, tha se kriza e Gazës po ashtu i zbeh shpresat e vendosjes së paqes nga administrata e zotit Obama, sepse kjo krizë e ka mënjanuar shefin e autoritetit palestinez Mahmud Abas.

"Kjo është tepër e qartë, se ndërlikon çdo përpjekje për t’u angazhuar në një përpjekje diplomatike të fuqishme, sepse operacioni i Izraelit në Rripin e Gazës patjetër që e ka dobësuar Mahmud Abasin, i cili ka rrezikuar rrezik trashëgiminë e politikës së tij dhe vizionin e tij për palestinezët që më në fund arritën të drejtën e tyre për të negociuar me izraelitët. Është e vështirë të negociosh me izraelitët, kur ata po sulmojnë Rripin e Gazës, apo sapo kanë përfunduar sulmin atje, një operacion ushtarak të paparë që nga viti 1967", - tha analisti.

Zyrtarët e ekipit të tranzicionit të zotit Obama pak janë shprehur lidhur me krizën në Gazë, duke respektuar qëndrimin e administratës aktuale. Këshilltari i lartë i zotit Obama, David Axelrod u tha të dielën gazetarëve se Presidenti i zgjedhur do të jetë një forcë konstruktive për paqen dhe sigurinë, që e dëshirojnë dhe e meritojnë si izraelitët, edhe palestinezët.//lk

XS
SM
MD
LG