Lidhje

Analistët komentojnë rreth zhvillimeve në Rripin e Gazës



Izraeli thotë se bombardimet e tij janë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të përsëritura me raketa nga militantët palestinezë.

Por një ekspert për Lindjen e Mesme thotë se reagimi i Izraelit ka qënë i tepruar dhe vë në dukje se në lojë ka edhe faktorë të tjerë.

Paul Schram, i Institutit për Lindjen e Mesme në Uashington, thotë se situata në Gazë i ngjan një konflikti të mëparshëm, kur militantët e Hezbollahut në Liban hidhnin raketa në Izrael pa u ndërshkuar.

"Izraeli mendon se i duhet të shlyejë poshtërimin që pësoi me ndërhyrjen në Liban në vitin 2006, të cilën shumë izraelitë dhe praktikisht të gjithë arabët e konsideruan një humbje të madhe për Izraelin".

Situata komplikohet me zgjedhjet e përgjithshme izraelite të muajit shkurt. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak i Partisë Laburiste, po kandidon për postin e kryeministrit por është i treti në anketa. Schram thotë se ai do të fitonte më shumë në se kundërpërgjigja ndaj Hamasit do të ishte e suksesshme.

"Ehud Barak si Ministër i Mbrojtjes shihet përgjithësisht si njeriu i cili qendron në krye të këtij operacioni. Në se del me sukses, ai do të lavdërohet, në se dështon, faji mbetet i mbetet atij".

Ish kryeministri Benjamin Natanjahu i partisë Likud, është në krye të anketave. Ministrja e Jashtme Cipi Livni e Kadimës ka vënë gjithashtu kandidaturën.

Dje, ushtria izraelite i shpalli territoret rreth Rripit të Gazës zonë të mbyllur ushtarake, lëvizje që në të kaluarën është pasuar me një sulm tokësor.

Schram beson se llogaritë e Izraelit përfshijnë një kundërpërgjigje të fuqishme ushtarake në Gaza ndërkohë që presidenti Bush është ende në Shtëpinë e Bardhë.

"Nuk është se ata presin që presidenti i zgjedhur Barak Obama të jetë anti-izraelit. Por ndoshta ai nuk do ta pranonte aq shumë sjelljen e Izraelit sa ç’e ka pranuar administrata Bush".

Shtëpia e Bardhë thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është të ndihmojë të dyja palët të arrijnë një armëpushim të qendrueshëm. Por zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë Gordon Xhondro tha se para se të mund të ndalet dhuna, Hamasi duhet të ndalë hedhjen e raketave dhe të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.//rd//

XS
SM
MD
LG