Lidhje

Prodhuesit amerikanë të makinave marrin ndihmën e parë



Departamenti amerikan i Thesarit thotë se do të japë 6 miliardë dollarë për krahun financues të firmës General Motors për të ndihmuar kompaninë e automobilëve të mbijetojë. Ndihma e qeverisë do të japë nxitjen e nevojshme për shitjen e makinave të prodhuara në vend duke mundësuar më shumë kredi për konsumatorët. Por analistët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Taksapaguesit duhet të derdhin më shumë para vitin e ardhshëm për t’i mbajtur kompanitë amerikane të makinave në punë.

Prodhuesit amerikanë të makinave më në fund po marrin paratë që duan për t’i shpëtuar falimentimit. Këtë javë Departamenti i Thesarit transferoi 13.4 miliardë dollarë në formë hua emergjente për firmat Chrysler dhe General Motors.

Të hënën, qeveria i dha departamentit financues të GM, pesë miliardë dollarë në këmbim të aksioneve. Një miliardë të tjerë u miratuan për t’i dhënë shtytje aftësisë së kompanisë për të grumbulluar para.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Merilendit Peter Morici thotë se ky është vetëm fillimi.

"Ndihma do të kapë ndoshta 100 miliardë ose më shumë dollarë para se të arrijmë fundin".

Megjithëse Fordi nuk ka kërkuar ndihmë financiare tani për tani, prodhuesit e Detroitit po luftojnë për të mbijetuar ndërkohë që shitjet janë në nivelin më të ulët në 30 vjet.

Morici thotë se nuk ka diskutim që kompanitë do të kërkojnë më shumë para, pyetja është se kur.

"Duke parë gjendjen e vështirë të tregut të makinave, General Motors dhe Chrysler me siguri do të kërkojnë më shumë ndihmë. Është vetëm çështje kohe".

GM dhe Chrysler pritet të kërkojnë hua shtesë në fillim të vitit tjetër. Edhe Fordi ka kërkuar një farë ndihme rezervë.

Por para se ta marrin atë, senatori Sherrod Brown thotë se Kongresi duhet të heqë shijen e keqe që la miratimi i 700 miliardë dollarëve për të shpëtuar industrinë financiare.

"Paratë duhet të jepen me përgjegjësi. Kjo e bën situatën më të vështirë pasi njerëzit nuk duan ndërhyrjen e qeverisë".

Analistët thonë se prodhuesit amerikanë të makinave janë gati të garantuar se të do të marrin ndihmën që kërkojnë. Kjo për arsyen se presidenti i zgjedhur Barak Obama dhe shumica demokrate në Kongres u zgjodhën pjesërisht me mbështetjen e fuqishme e sindikatave. Miliona vende pune në sindikata do të viheshin në rrezik në se industria amerikane e makinave do të shkatërrohej. //rd//

XS
SM
MD
LG