Lidhje

Viti 2008 solli arritje të mëdha për sportin botëror dhe amerikan


2008-a ishte një vit i shënuar për sportin, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara, ekipi Giants i Nju Jorkut e filloi vitin me fitoren befasuese ndaj ekipit Patriot të New England. Lojtari amerikan i golfit Tiger Woods, fitoi kampionatin amerikan pas vështirësive me disa lëndime. Në Lojrat Olimpike të gushtit, notari amerikan Michael Phelps hyri në histori me tetë medalje të arta dhe duke thyer rekordin e vendosur nga një tjetër amerikan Mark Spitz në vitin 1972. Ndërsa xhamaikiani Usain Bolt theu rekorde botërore në 100 dhe 200 metërsh.

Ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Lojrave Olimpike u mbajtën në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, Foleja e Zogut.

Por Majkëll Felps hyri në histori në qendrën Kombëtare të Lojrave të Ujit, të njohur si Kubi i Ujit.

“Rekordet janë bërë për t’u thyer, çfarëdo që të jenë. Gjithkush mund të bëjë gjithçka nëse i mbushet mendja, u shpreh ai.

Një tjetër yll i Lojrave Olimpike ishte sprinteri Usain Bolt nga Xhamaika, të cilin e quajnë “vetëtima”. Atij i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes.

“Unë e bëj çdo gjë për publikun dhe publikut i pëlqen”.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik Jacque Rogge i shpalli lojrat e Pekinit një sukses.

"Përmes lojrave, Kina ka kaluar nën vështrimin e gjithë botës. U hap ndaj botës. Bota njohu Kinën dhe Kina njohu botën”.

Viti 2008 solli ndryshim në tenisin botëror, si për femrat edhe për meshkujt. Rafael Nadal u bë numri një duke zëvendësuar Roger Federer. Spanjolli fitoi kampionatin French Open, por mori edhe titullin e parë për Wimbledon-in dhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike.

Para gjashtëmujorit të parë të vitit, belgia Justine Henin tronditi botën e tenisit me vendimin për të dalë në pension. Serbja Jelena Jankovic e mbylli vitin duke dalë e para në tenisin për femra.

Tiger Woods mbeti në krye të klasifikimit për Golfin, megjithëse iu desh të tërhiqej nga turneu PGA pas një operacioni në gju, pas fitores dramatike në turneun amerikan në qershor.

Meksikania Lorena Ochoa ishte lojtarja numër 1 e golfit për të tretin sezon radhas. Bota e golfit i dha lamtumirën ish-numrit 1 Annika Sorenstam të Suedisë e cila u tërhoq për t’u martuar dhe krijuar familje.

Në futboll, Spanja u bë e dyta në histori që fitonte të gjitha ndeshjet në grup për eliminatoret e Kampionatit evropian. Në finalen e zhvilluar në Vienë, Spanja mundi Gjermaninë, 1-0 me një gol të shënuar nga sulmuesi i Liverpulit Fernando Torres.

Futbolli amerikan e përfundoi sezonin me një Supe Bowl entuziazmues. Kuoterbeku i Giants të Nju Jorkut Eli Manning bëri goditjen e fundit 35 sekonda para mbylljes së ndeshjes duke dhënë fitoren ekipit të tij ndaj Patriots të New England, që deri në atë moment nuk kishte pësuar asnjë humbje.

Finalja e Shoqatës Kombëtare të Basketbollit, NBA ishte një betejë mes rivalëve të vjetër. Skuadra Celtics e Bostonit fitoi ndaj asaj të Los Angelesit Lakers, ku luan Kobe Briant.

Në garat me makina, Lewis Hamilton i Britanisë, 23 vjeç u bë kampioni më i ri në historinë e Formula Onos.

Tampa Bay Rays pati rezultatin më të keq në Ligën e Bejsbollit për vitin 2007, por në vitin 2008 hyri në kampionatin botëror. Por sezoni i tyre përfundoi në atë pikë, ndërsa Phillies të Filadelfias fituan titullin e dytë në historinë e ekipit të tyre.

Në hokei, Red Wings të Detroitit fituan kupën për herë të 11-të në kampionat duke fituar ndaj Penguins të Pitsburgut. //kk//

XS
SM
MD
LG