Lidhje

SHBA: Mijra dyqane do të mbyllen në 2009


Ekspertët amerikanë thonë se stina e shitjeve të fundivitit 2008 ishte mjaft e dobët dhe kjo do të çojë në mbylljen e mijra dyqaneve në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2009. Shitjet e fundvitit janë shumë të rëndësishme sepse ato u sjellin dyqaneve amerikane përqindjen më të madhe të të ardhurave të vitit. Dhe shifrat e deritanishme tregojnë se shitjet gjatë stinës së festave në Amerikë, ranë 4% në vitin 2008, që është niveli më i ulët në më shumë se 40 vjet.

Megjithë skontot e mëdha që u panë të ofronin dyqanet, amerikanët nuk shpenzuan gjatë festave aq shumë sa t’i nxirrnin disa prej dyqaneve nga deficiti. Dhe kjo do të detyrojë shumë dyqane të mbyllen.

Ekspertët parashikojnë se në gjysmën e parë të vitit 2009 do të mbyllen më shumë se 70 mijë dyqane. Konsulenti i shitjeve Howard Davidowitz thotë se blerësit do të shohin më tepër lajmërime ku shkruhet: “Ky dyqan është në mbyllje”.

"Do të mbyllen komplekse shitjesh dhe dyqanet, standardi i jetesës për amerikanët nuk do të jetë më si më parë."

Sipas analistëve, deri në 3 mijë komplekse tregtare rrezikojnë mbylljen në vazhdën e riorganizimeve.

Rrjete të tilla popullore si Ann Taylor, Talbot's dhe Foot Locker kanë njoftuar se do të mbyllin një numër dyqanesh. Po kështu edhe dyqane të tilla të mëdha si Dillard's, Saks dhe Nordstrom.

Analistja Deborah Weinswig thotë se komplekset tregtare që u shesin klientëve me shije të kushtueshme, janë goditur më shumë se të gjithë të tjerët.

"Klientë të tillë që deri dje blinin mallra firmato si Gucci, Prada apo Louis Vuitton nuk po i frekuentojnë më këto dyqane."

Me rënien e blerjeve, ekonomia po hyn në një rreth vicioz i cili do të çojë në mbyllje të mëtejshme dyqanesh, rritje të papunësisë dhe më pak shpenzime nga ana e konsumatorëve.

Por nuk janë vetëm shitjet me pakicë që po e pësojnë. Industria e automobilëve po kalon gjithashtu kohë të vështira.

Kjo pikë shitjesh në Kaliforni mbylli papritur dyert kur mekaniku i saj Michael Kestal ishte me pushime. Ai thotë se e ardhmja e tij duket e pasigurt.

"E di se nuk do të gjej një’ punë si kjo që bëja deri tani. Kam një përvojë 18-vjeçare si mekanik por tani nuk ka më punë sepse industria e makinave po falimenton. Nuk kam rrugë tjetër veçse të kërkoj punë në ndonjë industri tjetër."

Por jo në industrinë e shitjeve me pakicë.

Sipas disa analistëve problemi është se në Shtetet e Bashkuara ka më tepër dyqane se sa duhet, dy herë më shumë se sa nevojat e konsumatorëve. Shifrat tregojnë se vitin e kaluar u mbyllën rreth 150 mijë dyqane, numri më i madh ky që nga recesioni i vitit 2001.

XS
SM
MD
LG