Lidhje

Izraeli ndërhyn me forca tokësore në Rripin e Gazës


Izraeli filloi ofensivën e tij tokësore në Rripin e Gazës duke dërguar trupa dhe tanke dhe duke vazhduar sulmet ajrore gjithashtu. Media njofton se luftime të ashpra vazhdojnë në pjesën më të madhe të Gazës. Izraeli u ka bërë thirrje rezervistëve t’u bashkohen radhëve të ushtrisë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të zhvillojë të shtunën një mbledhje emergjente për të diskutuar shkallëzimin e dhunës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sonja Pejs sjell hollësi nga Jeruzalemi.

Tanket dhe trupat izraelite filluan të hyjnë në Rripin e Gazës mbrëmë pas rënies së errësirës. Në një fjalim televiziv, ministri i mbrojtjes Ehud Barak shpjegoi misionin e tyre.

“Synimi ynë është të detyrojmë Hamasin të ndalojë veprimet armiqësore kundër Izraelit dhe izraelitëve nga Gaza.”

Zyrtarët izraelitë e kanë bërë të qartë, se duan të ulin në mënyrë domethënëse aftësinë e Hamasit për të vazhduar të hedhë raketa në Izraelin jugor. Një operacion tokësor pritej dhe ndodhi ndërkohë që sulmet ajrore izraelite hynë në javën e tyre të dytë. Ehud Barak tha se Izraeli i ka peshuar mirë të gjitha mundësitë e veta.

“Ne nuk jemi të uritur për luftë, por ne nuk do të lejojmë kurrë një situatë ku qytetet tona, fshatrat dhe civilët vihen vazhdimisht nën shenjestër nga Hamasi. Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të përfundojë shpejt, por ne jemi të vendosur.”

Duke folur me Zërin e Amerikës nga qyteti i Gazës, gazetari palestinez Mohamed Davas përshkroi gjendjen që po përjetojnë familjet palestineze.

“Unë e kam lënë shtëpinë time nga frika. Ata po bombardonin pranë shtëpisë. Kam shkuar tek shtëpia e vjehrrit. Është krejt errësirë. Pashë që bombarduan zyrën e presidentit. Ne vetëm i dëgjojmë shpërthimet. Nuk arrijmë të shohim gjë edhe gjatë ditës.”

Izraeli ka vazhduar ofensivën gjatë ditës së djeshme duke goditur rreth 40 pika. Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftimeve vazhdojnë dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi do të shkojë nesër në rajon në kuadër të këtyre përpjekjeve. //bsa//

XS
SM
MD
LG