Lidhje

Kuba  dhe kubanët në SHBA 50 vjet pas revolucionit


Qeveria e Kubës shënoi 50 vjetorin e fitores së forcave guerrilase të drejtuara nga Fidel Kastro ndaj diktatorit Fulgencio Batista. Për afër dy milionë kubanë që u larguan nga Kuba për t’i ikur regjimit komunist që prej asaj dite, ky përvjetor sjell në mendje kujtime të dhimbshme. Shumë prej atyre që lanë Kubën u vendosen në Shtetet e Bashkuara, në qytetin e Majamit, ku kanë ndërtuar një jetë të re. Por ata vazhdojnë të ushqejnë ndjenja zemërimi për revolucionin në Kubë.

Lajmet nga një radio lokale në Majami, Radio Republika, u përqëndruan në valën e fundit të kubanëve që po përpiqeshin të largoheshin nga ishulli i Kubës.

Lajmet njoftonin edhe për shtetasit kubanë që prisnin në radhë para ambasadës spanjolle në Havana duke shpresuar se do të përfitonin nga një ligj i ri që do t’u siguronte shtetësi nipërve të emigrantëve spanjollë. Hulio Estorino drejton programin radiofonik për grupin prodemokratik Drejtoria Demokratike e Kubës. Ky program i drejtohet Kubës.

Gati gjysma e atyre që lanë Kubën jetojnë në zonën e Majamit. Në këtë qytet gjinden restorane kubane, biznese kubane dhe përmendore të heronjve që luftuan kundër udhëheqësit Kastro.

Pronarja e një restoranti në Majami, Ailin Fernandez, u largua nga Kuba më shumë se 20 vjet më parë. Ajo ka dëshirë të kthehet në atdhe dhe të hapë një restorant në qytetin bregdetar të Varaderos, por jo nën regjimin aktual.

Disa nga kubanët ikën në kërkim të mundësive më të mira të punësimit, ndërsa të tjerë ikën për t’i shpëtuar presekutimit. Zhiselle Palacios është vajza e një disidenti të rëndësishëm nga Kuba. Ajo u largua vitin e kaluar, pasi ishte përjashtuar nga universiteti për shkak të aktivitetit politik.

“Shpresoj se do të mund të përfundoj studimet këtu, dhe në se do të ketë ndryshim në qeverisje, unë kam dëshirë të kthehem dhe të ndihmojë në rindërtimin e Kubës. Unë mendoj se të gjithë kubanët duhet të jenë në gjendje të kthehen në Kubë”. - thotë ajo

Prindërit e Zhisellës gjinden në Kubë. Ajo thotë se kufizimet e udhëtimit u kanë shkaktuar shqetësime një numri të madh të familjeve.

“Largësia është shumë e vështirë për emigrantet dhe familjet e tyre, sidomos gjatë festës së Krishlindjeve, pasi ata nuk janë së bashku”.

Edhe pse në Havanë u festua përvjetori i revolucionit, në Majami nuk pati festime, pasi aty revolucioni kuban sjell në mendje kujtime të vështira.

“Revolucioni mendohet se sjell risi dhe progres, por në Kubë ai solli krejt të kundërtën.” - thotë komediani Bonko Kuinogo

Ai vjen në Radio Republika për të mbajtur kontakt me atdheun që ai la pas. Që nga viti 1999, kur u largua nga Kuba, karriera e tij si komedian është zhvilluar, por ndarja nga dy vajzat dhe prindërit i ka kushtuar shumë.

“Babi im është tani shumë i sëmurë. Kur ika nga Kuba nëntë vjet më parë, unë kërkoja diçka të ngjashme me atë që kam arritur tani. Por, ka diçka që mua më mungon shumë”.- thotë ai

Shumë kubanë të cilët refuzuan revolucionin, dhe ikën nga Kuba, e kanë të vështirë ta harrojnë vendin e tyre.//mm//

XS
SM
MD
LG