Lidhje

Kongresi amerikan: Paketa e dytë e stimujve ekonomikë mund të marrë kohë


Megjithë thirrjet nga të gjitha anët që autoritetet amerikane të marrin masa të menjëhershme për të rimëkëmbur ekonominë e vendit, udhëheqësit e të dyja partive në Kongres thonë se nuk ka gjasa që paketa e stimujve të jetë gati për t’u firmosur nga presidenti i zgjedhur Obama pasi ai të bëjë betimin më 20 janar.

Vetëm disa ditë pas Vitit të Ri, ligjvënësit amerikanë po zbehin shpresat që Kongresi të miratojë një paketë stimujsh për ekonominë para se zoti Obama të nisë mandatin e tij. Udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Steni Hojer foli dje në një program të televizionit Fox News këtu në Shtetet e Bashkuara.

"Do të jetë shumë e vështirë që paketa ekonomike të hartohet në kohë për t’u shqyrtuar, diskutuar dhe miratuar”, tha ai.

Ndërkaq udhëheqësi i pakicës në Senat, Miç Mekonëll po kështu u shpreh skeptik mbi paketën financiare. Duke folur në një program të televizionit ABC, republikani nga Kentaki tha se shpreson që Kongresi do të lejojë një diskutim dypartiak mbi atë se çfarë pritet nga paketa ekonomike më e madhe në historinë amerikane.

"Besoj se të paktën seanca në Kongres dhe shqyrtime dypartiake të paketës do të ishin të nevojshme. Më shqetëson shpejtësia me të cilën mund të hartohet kjo paketë. Ky është një ligj gjigand; mund të bëhet fjalë për afro 1 trilion dollarë shpenzime”.

Presidenti i zgjedhur Obama po bën thirrje për shpenzime të qindra miliarda dollarëve nga ana e qeverisë federale përmes nismave që do të përqendrohen tek infrastruktura, energjia ambjentaliste, arsimi dhe reforma në fushën e shëndetësisë.

Shumica e republikanëve nuk i kanë përjashtuar nisma të tilla, por kanë shprehur preferencën që të ulen taksat në vend të shtimit të shpenzimeve federale. Ndonëse demokratët do të gëzojnë shumicë të zgjeruar në legjislaturën e re, ata nuk do të kenë shumicën e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj.

Por senatori nga shteti i Ilinoit, Dik Dërbin, një aleat i ngushtë i zotit Obama, thotë se demokratët nuk kanë ndërmend të shpërfillin republikanët në lidhje me paketën e stimujve financiare.

"Nuk mund ta miratojmë planin e rimëkëmjes ekonomike pa bashkëpunim dypartiak. Duhet t’i lëmë pas mosmarrëveshjet që kemi pasur dhe të bashkohemi me administratën e re dhe udhëheqësinë e re për ta ringjallur ekonominë amerikane”, tha ai.

Besohet se ekonomia amerikane po përjeton reçesion prej më shumë se një viti kur u godit rëndë nga falimentimi i pagesave të kredive të shtëpive çka provokoi tkurrjen e kredisë. Po kështu borxhi kombëtar amerikan ka arritur shifra rekord. President i zgjedhur Obama thotë se në një periudhë afatgjatë, Shtetet e Bashkuara duhet të balancojnë buxhetin, por për momentin defiçiti do të rritet për të rivendosur rritjen ekonomike. //bsa//

XS
SM
MD
LG