Lidhje

Vullnetarë të rinj amerikanë japin mësim në zonat në nevojë


Këtë vit një grup i quajtur Arsimi për Amerikën përjetoi një ngritje prej 36 për qind të kërkesave për të qënë pjesë e tij. Kjo organizatë rekruton arsimtarë të sapo diplomuar për të plotësuar mungesat në fushën e arsimit në zona të varfëra të Amerikës. Udhëheqësit e kësaj organizate thonë se disa të sapo diplomuar angazhohen në shërbimin publik gjatë ngadalësimit ekonomik, por shumë prej tyre ndjejnë një farë ripërtëritje të frymës së shërbimit publik. Një anëtare e organizatës Arsimi për Amerikën thotë se profesioni i mësuesit është shumë më i vështirë se sa kishte parashikuar, dhe në të njëjtën kohë ndryshimi i botës nuk është kurrë dika e lehtë.

Loren Hainbak thotë se u bë mësuese për të ndryshuar pabarazinë që ekziston në fushën e arsimit midis komuniteteve të varfëra dhe të pasura.

“Mendova se nëse me të vërtetë më shqetëson kjo çështje dhe më jepet mundësia të bëj diçka, duhet të vendosja të isha pjesë e zgjidhjes së problemit”.

Ajo është mes më shumë se 6 mijë anëtarëve të organizatës Arsimi për Amerikën, studentë të sapo diplomuar, të cilët dalin vullnetarë të mësojnë në shkollat publike të zonave rurale dhe atyre të varfëra.

Gjithashtu Loren Hainbak jep mësim edhe në shkollën KIPP, duke shtyrë për më vonë kariera të mundshme në mjekësi dhe drejtësi, të cilat mund të paguajnë shumë më tepër në të ardhmen.

Kjo shkollë është në një zonë të Washingtonit, ku arsimtarët thonë se niveli i nxënësve është në 25 për qind më të ulëtit në bazë të normave kombëtare.

Nën-drejtoresha e shkollës, Kristi Oks, thotë se shkolla është angazhuar të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe se është e vështirë të gjehen mësuesit të gatshëm të bëjnë punën e vështirë që kërkohet.

“Ne u kërkojmë arritje të shkëlqyera të gjithë nxënësve pa përjashtime. Dhe kjo arrihet me një punë të madhe nga ora 6 e mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes për të bërë ç’është e mundur. Rekrutimi i mësuesve të tillë është diçka e vështirë”.

Edhe nën-drejtoresha Oks e filloi punën në organizatën Arsimi i Amerikës. Dy të tretat e anëtarëve të kësaj organizate vazhdojnë karierën në arsim, pasi përfundojnë angazhimin dy vjeçar. Ajo thotë se dedikimi i këtyre mësuesve të rinj e kapërcen çdo mungesë të përvojës.

Studentët e mësueses Loren Hainbak thonë se ajo ka vendosur standarte të larta dhe kërkon shumë prej tyre. Vitin e kaluar, Arsimi për Amerikën përjetoi një shtim të aplikimeve, pjesërisht për shkak të vështirësive ekonomike. Por mësuesi Kevën Hofman i kësaj organizate thotë se thirrja gjatë fushatës presidenciale e presidentit të zgjedhur Barak Obama për shërbim publik ka frymëzuar brezin e ri.

“U krijua një farë ndenje nëpër universitete, që u përqëndrua në ndikimin e shpërbimit publik, në zona kritike në nevojë të vendit. Mendoj se ne po i ndihmojmë të rinjtë të rigjallërojnë ndjenjën dhe frymën e shërbimit publik”.

Loren Hainbakut i jep kënaqësi suksesi që shikon tek nxënësit, megjithë sakrificën që ajo ka bërë.

“E shikoj që ata po mësojnë. Unë ndjek përparimin e tyre. Dhe e di se puna që bëj çdo ditë është kuptimplote për mua”.

Edhe në se Loren Hainbak vendos të largohet nga profesioni i mësuesit, ajo thotë se do të marrë me vete një ndjenjë më të madhe të përgjegjësisë në shoqëri. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG