Lidhje

Hapet në Nju Jork aneksi i muzeut të Rock & Roll-it


Holli i Famës së Rock and Roll-it ka tërhequr miliona entuziastë të muzikës për të parë një koleksion të artifakteve muzikore në muzeun e tyre origjinal në Cleveland të shtetit Ohio. Tani muzeu jofitimprurës i ka hapur dyer në një tjetër pikë në Nju Jork për adhuruesit që duan të shikojnë dhe dëgojnë historinë e muzikës duke filluar nga rrënjët e rrokut në Amerikë në fund të viteve 40 dhe 50.

Për shumë këtu, një shëtitje përmes Hollit të Famës së Rock and Roll-it në qendër të Nju Jorkut është si të kthehesh pas në kohë.

Ky version i vogël i muzeut origjinal të rokut në Ohio u hap muajin e kaluar. Dhe njujorkezi Ron Larson thotë se vrapoi për ta parë sapo u hap.

"Kishte disa gjëra që më befasuan si pianoja e Xhon Lenonit ku kompozoi Imagine. Qëndrova aty për disa minuta dhe u ngjetha kur mendova kjo është pianoja – pikërisht kjo. Është shumë emocionale, eksperienca është fantastike".

Duke ecur në korridore, vizitorët dëgjojnë përmes kufjeve që automatikisht luajnë pjesë muzikore, kur ata i afrohen një ekrani të veçantë, një imazhi, apo artifakti. Përmes tyre dëgjohen këngë dhe jepet historia e ekspozitës. Aneksi i Nju Jorkut përfshin meloditë që nga vitet 60 të grupit The Beatles e deri tek ylli i tanishëm pop Amy Winehouse.

Koleksionet grumbullojnë pamje, tinguj dhe kujtime nga shumë artistë të shquar të rokut. Ciceroni Jim Henke thotë se kërkon që njerëzit të kuptojnë se ndikimi i disa artisëtve shkon përtej muzikës së tyre.

"Ka si Bruce Springsteen që bëri fushatë për Barak Obamën, apo si Bono i U2 që po bën lloj lloj aktivitete në mbarë botën për ta bërë atë një vend më të mirë – pra mendoj se Rock and Roll-i ka luajtur një pjesë të rëndësishme në jetët tona".

Ekspozita “rrënjët dhe influencat” ndjek lidhjet midis artistëve të vjetër dhe të rinj. Vizitorët kanë gjithashtu shansin të shohin kujtime si makina Chevrolet e vitit 57, e Bruce Springesteen, apo syzet e famshme të Elton Johnit dhe veshjet në skenë të Madonës.

Në një kinema, vizitorët mund të shohin interpretime që të krijojnë idenë e një koncerti ‘live’. Joe Butler luan për grupin e quajtur The Lovin’ Spoonful i cili u përfshi në Hollin e Famës së Rock and Rollit në vitin 2000.

"Na duhen gjërat që na bashkojnë dhe muzika është sigurisht njëra prej tyre. Është si e qeshura, është e shtrenjtë, e çmuar, e pazëvendësueshme dhe kemi nevojë për ta mbështetur atë me të gjitha mundësitë".

Mbështetja për muzikën në këtë muze do të thotë të paguash biletën prej 26 dollarësh. Ciceroni thotë se shpreson që Aneksi të tërheqë njerëz nga të gjitha moshat dhe kombësitë. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG