Lidhje

Uashington: Mblidhet Kongresi i ri i Shteteve të Bashkuara

  • Debora Tejt

Dje u mblodh në Uashington Kongresi i ri, ku demokratët kanë shumicën në të dy dhomat. Ligjvënësit përballen me një program ambicioz të parashtruar nga presidenti i zgjedhur Barak Obama, i cili do të marrë postin pas dy javësh. Pavarësisht nga ceremonia e rregullt e betimeve, fillimi i ditës ishte pak kaotik kur zyrtarët e Senatit refuzuan ta lejonin pasuesin e zotit Obama të marrë postin.

Ish prokurori i shtetit Ilinoit Ronald Bëris, i cili u emërua nga guvernatori i përfshirë në skandale Rod Blagojeviç në vendin e liruar në senat nga presidenti i zgjedhur Barak Obama, erdhi në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit.
Por zoti Bëris u kthye mbrapsht nga zyrtarët e Senatit, me arsyen se letra e emërimit të tij nuk ishte miratuar nga Sekretari i Shtetit të Ilinoit. Ndërsa largohej nga ndërtesa e Kongresit ai foli shkurt me gazetarët.

“Unë ia paraqita dokumentat e mi sekretarit të senatit, dhe ai më tha se ato nuk ishin në rregull, dhe se unë nuk do të pranohesha, nuk do ta merrja postin dhe nuk do të lejohesha në Senat.”

Udhëheqësit demokratë në Senat nuk donin ta lejonin zotin Bëris të zinte postin, sepse ai ishte emëruar nga një guvernator që është nën hetime federale për korrupsion, duke përfshirë akuzat se ishte përpjekur të shesë postin e zotit Obama në senat.
Ja si u shpreh udhëheqësi i shumicës demokrate në senat Heri Rid:

“Roland Bëris nuk është miratuar nga shteti i Ilinois. Kur të ndodhë kjo, ne sigurisht që do ta rishikojmë vendimin.”

Por zoti Bëris, i cili është afrikano-amerikan, ka përkrahësit e tij të cilët besojnë se ai është i kualifikuar të shërbejë si senator. Bëris tha se do të këshillohet me avokatët e tij për të vendosur si do të veprojë.

Por posti i Senatorit nga Ilinoi nuk është i vetmi që ka mbetur bosh. Senatori republikan Norm Kolman i shtetit Minesota e humbi kandidaturën për t’u rizgjedhur kundrejt humoristit Al Franken me 225 vota, pas rinumërimit të votave të një gare të ngushtë, por tha mbrëmë se do ta sfidojë rezultatin në gjykatë.

Nëse fitorja e zotit Frankin arrin t’i bëjë ballë sfidave ligjore, ajo do t’i jepte demokratëve shumicën e 59 me 41 në Senat, vetëm një votë më pak se shumica prej 60 votash që nevojitet për të tejkaluar përpjekjet e republikanëve për të bllokuar legjislacionet e tyre.
32 senatorë të zgjedhur për herë të parë apo të rizgjedhur, u betuan para zëvendës presidentit Dik Çeni, i cili shërben si President i Senatit.

Kongresi i ri përballet me sfida të mëdha. Presidenti i zgjedhur Obama po u bën thirrje ligjvënësve të veprojnë sa më parë mbi planin e stimulues prej 775 miliard dollarësh për të zgjidhur një nga krizat më të rënda ekonomike prej disa brezash.

“Do të marrë kohë, edhe duke e përshpejtuar, që paketa ligjore të arrijë në tavolinën time. Por presim që deri në fund të janarit apo javën e parë të shkurtit ta kemi përfunduar pjesën më të madhe të punës.”

Përpjekjet për reformat shëndetësore dhe për luftën kundër ngrohjes globale janë përparësi për administratën e re.

Kur zoti Obama të bëjë betimin me 20 janar, demokratët do të kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që nga viti 1994.//lk

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG