Lidhje

Obama i bën thirrje Kongresit të miratojë shpejt paketën e stimujve

  • Den Robinson
  • Uashington

Presidenti i zgjedhur Barak Obama u bëri dje thirrje udhëheqësve të Kongresit të veprojnë me shpejtësi për miratimin e paketës financiare të stimujve ekonomikë me vlerë tepër të madhe. Zoti Obama u takua dje me një grup ligjvënësish të të dyja partive në Kongresin amerikan.

Zoti Obama u takua veçazi me udhëheqësit demokratë dhe ata republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe foli më vonë gjatë një mbledhjeje me udhëheqës të të dyja partive. Duke folur me gazetarët dje në mëngjes ai theksoi rëndësinë që paketa ekonomike të finalizohet sa më shpejt.

"Para nesh kemi një sfidë të jashtëzakonshme. Presim një raport negativ mbi papunësinë në vend në fund të javës. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi dhe stafi i saj na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë, duke punuar me ekipin tonë, në mënyrë që të hartojmë planin e rimëkëmbjes ekonomike dhe të rifillimit të investimeve, në mënyrë që njerëzit të kthehen në vendet e punës”, - tha ai.

Zoti Obama kërkon që në ligjin që do të miratohet mbi paketën financiare të ketë një vend të gjerë edhe për uljen e taksave për amerikanët dhe bizneset. Vetëm ulja e taksave mund të kushtojë rreth 300 miliardë dollarë, ndërsa paketa financiare mund t’i kalojë 700 miliardë dollarët. Paketa pritet të përfshijë edhe ndihmë për shtetet amerikane që po vuajnë më shumë nga tkurrja e kredisë si dhe fonde për forma alterantive të energjisë dhe një sërë projektesh të infrastrukturës.

Zoti Obama tha se ai pret që ta firmosë paketën që në fund të këtij muaji dhe shtoi se ka nevojë për veprime të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e recesionit.
Pas bisedimeve dypartiake në Kongres, zoti Obama dhe zonja Pelozi thanë se ligjvënësit diskutuan me presidentin e zgjedhur mbi mënyrën sesi do të miratohet paketa e stimujve financiarë sa më shpejt që të jetë e mundur.

"Paketa e ardhshme financiare do të krijojë menjëherë vende të reja pune dhe do të përmirësojë ekonominë. Pikërisht për këtë folëm gjatë takimit. Folëm sesi mund ta hartojmë dhe miratojmë paketën me shpejtësi”,- tha zonja Pelozi.

Por zonja Pelozi nuk tha se sa shpejt do të miratohej paketa. Ndërkaq udhëheqësi i shumicës në Kongres, Steni Hojër tha se paketa mund t’i kalojë për miratim Senatit në fund të muajit me objektivin që Senati ta miratojë paketën në mes të shkurtit.

Detajet e paketës do të jenë vendimtare për mbështetjen që do t’i japin republikanët asaj. Por përkeqësimi i recesionit në SHBA ka krijuar mbështetje të konsiderueshme nga të dyja partitë mbi nevojën për veprime të menjëhershme. Ja se ç’thotë udhëheqësi i shumicës në senat, Heri Rid:

"Na duhet të bëjmë investime që ta nxjerrim ekonominë nga kriza. Takimi ishte vërtet i frytshëm. Kam besim se do t’ja dalim”, - tha ai.

Ndërkaq, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino komentoi po dje mbi takimin në fjalë:

"Besoj se gjëja më e mirë për mua do të ishte të mos komentoja mbi të ardhmen. Sigurisht, administrata e presidentit Bush mendon se ulja e taksave është mënyra më e mirë për të nxjerrë ekonominë nga recesioni. Ulja e taksave po kështu nxit risi teknologjike”, - tha zonja Perino.

I pyetur nga gazetarët, se sa e madhe do të jetë paketa me stimujt financiarë, udhëheqësi demokrat në Senat Heri Rid tha se presidenti i zgjedhur Obama bëri me dije se 27 nga 28 ekonomistët që e këshillojnë atë kishin thënë se paketa duhet të jetë nga 800 miliardë deri në 1,3 trilionë dollarë.//lk


XS
SM
MD
LG