Lidhje

Dreka e Presidentëve amerikanë, një simbol i qeverisjes


Të mërkurën, më 7 janar, të gjithë presidentët amerikanë si dhe Presidenti i zgjedhur Barak Obama do të hanë drekë në Shtëpinë e Bardhë. Studiuesit thonë se dreka, e planifikuar para betimit të zotit Obama, do të shërbejë si simbol i qeverisë amerikane dhe shtetit ligjor. Presidentët mblidhen herë pas here së bashku, por në shumicën e rasteve kjo ndodh kur është funerali i njërit prej tyre.

Presidenti i zgjedhur Barak Obama mbërriti në Uashington të dielën, gati për të hyrë në histori.Ai u takua dje me udhëheqësit e Kongresit, një vizitë rutinë për çdo president të zgjedhur. Por takimi në Shtëpinë e Bardhë i të gjithë presidentëve nuk është edhe aq i zakonshëm.

Zakonisht presidentët mblidhen bashkë në funerale. Kur vdiq Presidenti Ronald Regan në vitin 2004, presidenti Bush u ul në Kishë me paraardhësin e tij. Ndërsa Presidenti Bush i vjetri, ndaj të cilit fitoi Presidenti Klinton, mbajti një fjalim përkujtimor. Para një dekade, kur vdiq Presidenti Riçard Nikson, zoti Regan dhe presidentët e tjerë që ishin gjallë morën pjesë në ceremoni, ku Presidenti Klinton citoi pjesë nga një himn fetar.

“Është e qartë se vështirësitë e jetës shkaktojnë mosmarrëveshje. Por për çështje madhore, ne jemi një”.

Dhe në fakt kjo duket të jetë ideja e takimeve të tilla. Benjamin Ginsberg është Drejtor i Qendrës për Studimet mbi Qeverinë amerikane në Universitetin Xhons Hopkins.

“Kjo drekë ka si synim të tregojë mes të tjerash se ne jemi një qeveri ligjesh dhe institucionesh, jo individësh”.

Dhe shpesh një president, si për shembull presidenti Regan në vitin 1981, shihet përkrah njeriut ndaj të cilit ai fitoi, presidentit Karter. Zoti Karter kishte fituar ndaj Presidentit Xherald Ford, që ishte gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë, një ditë kur ata përkujtonin një udhëheqës të huaj. Mark Rom është profesor i politikës publike në Universitetin Georgetown.

“Fakti që fituesit dhe të humburit mblidhen së bashku në mënyrë paqësore dhe në harmoni përfton këtë vlerë simbolike”.

Presidentët ndonjëherë shfaqen së bashku në mbështetje të një kauze të caktuar. Presidentët Ford, Karter dhe Bush morën pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregëtinë e Lirë në Amerikën e Veriut, nga ana e Presidentit Klinton në vitin 1993.

Por zoti Obama bëri fushatë kundër politikave të njeriut që ndodhet ende në Shtëpinë e Bardhë, George W. Bush.

“Presidenti i zgjedhur Obama fitoi sepse mund të thoshte lirisht ‘unë nuk jam presidenti Bush dhe do të veproj ndryshe’. Nuk mund ta imagjinoj se çfarë mund të përfitojë zoti Obama nga presidenti Bush në këtë drekë”.

Megjithatë edhe Presidenti Bush e ka pranuar se do të jetë një ngjarje historike kur zoti Obama të bëhet presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. //kk//


Të ngjashme

XS
SM
MD
LG