Lidhje

Takim i rrallë presidencial në Shtëpinë e Bardhë


Në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua sot një takim historik, ku morrën pjesë tre ish presidentë, presidenti aktual dhe presidenti i zgjedhur amerikan. Korrespondentja Paula Wolfson njofton se kjo ishte një mundësi për presidentin e zgjedhur Barak Obama, që të takohej me anëtarët e të njëjtit klub ekskluziv, ata burra që kanë mbajtur para tij zyrën më të lartë të vendit.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush priti sot për drekë në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e zgjedhur Barak Obama dhe të gjithë presidentët e tjerë amerikanë që jetojnë. Presidenti i zgjedhur Obama tha se ai mund të mësojë shumë prej paraardhësve të ij.

“Ky është një takim i jashtëzakonshëm. Të gjithë këta xhentëlmenë i kuptojnë si presionet edhe mundësitë e kësaj zyre”.

Ishte vetë zoti Obama që sugjeroi i pari mbajtjen e takimit. Presidenti Bush e organizoi atë. Para se të hynin për drekë, presidenti Bush tha se ai dhe i tërë vendi i urojnë gjithë të mirat zotit Obama.

“Unë kam një mesazh, dhe mendoj se ne të gjithë kemi të njëjtin mesazh. Ne duam që ju të keni sukses. Nëse ne jemi republikanë apo demokratë, ne e duam shumë vendin tonë”.

Presidenti Bush dhe zoti Obama bashkë me tre ish presidentët, që ende jetojnë, babai i zotit Bush, ish-presidenti Xhorxh H. W. Bush dhe ish presidentët Xhimi Karter dhe Bill Klinton, pozuan për një fotografi në zyrën ovale para se të shkonin për drekë. Presidenti i zgjedhur Obama tha se mezi pret të dëgjojë mendimet e paraardhësve të tij.

“Për mua është diçka e jashtëzakonshme që të kem mundësinë të dëgjoj këshillat e këtyre individëve”.

Në fakt, diskutimet u zhvilluan gjatë një dreke private. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino tha se kanë kaluar më shumë se çerek shekulli nga takimi i fundit i tillë mes të të gjithë presidentëve amerikanë. Në vitin 1981, presidenti i athershëm Ronald Regan u takua me ish presidentët Riçard Nikon, Gerald Ford, Xhimi Karter para funeralit të ish presidentit të Egjiptit, Anvar Sadat. //iç//

XS
SM
MD
LG