Lidhje

Zhvillimet e fundit, shkaktojnë pështjellim në qarqet politike në Uashington


Mbeten më pak se dy javë deri kur Presidenti i Zgjedhur Barak Obama, të bëjë betimin. Mënyra sistematike dhe e shpejtë e përzgjedhjes së anëtarëve të kabinetit, ka marrë vlerësime të larta, por disa lëvizje të fundit nuk kanë kaluar pa shkaktuar një farë pështjellimi në Uashington.

Emri i personit që mesa duket do të emërohet në postin e shefit të CIA-s, Leon Paneta, ka ngjallur debate, për shkak të mungesës së përvojës së tij në fushën e zbulimit.

Zoti Paneta ka qenë anëtar i Kongresit dhe shef personeli për Presidentin Bill Klinton. Zyrtarët e Partisë Demokrate thonë se ai është caktuar për të drejtuar CIA-n, pjesërisht sepse nuk ka lidhje me politikat e agjencisë për ndalimin dhe marrjen në pyetje ndjekur nga administrata aktuale, përfshirë simulimin e mbytjes.

Zoti Paneta i ka kundërshtuar publikisht metodat e marrjes në pyetje nga CIA. Presidenti i Zgjedhur Barak Obama e vlerësoi dje zotin Paneta.

“Kam respekt të jashtëzakonshëm për Leon Panetën. Mendoj se ai është një nga zyrtarët më të mirë të administratës publike që kemi pasur. Ai sjell aftësi të jashtëzakonshme menaxhimi, nuhatje politike dhe një histori të pastër integriteti”.

Zoti Obama tha se po ngre një ekip zbulimi me njerëzit më të mirë.

“Do të jetë një ekip të angazhuar për të lënë pas disa nga praktikat dhe shqetësimet e kaluara që mendoj se e kanë dëmtuar imazhin e agjencive të zbulimit si edhe të politikës së jashtme”.

Megjithatë disa ligjvënës, përfshirë senatoren demokrate Dianne Feinstein, kryetare e Komisionit të Senatit për Zbulimin, janë skeptikë për zotin Paneta pasi atij i mungon përvoja në zbulim. Enthoni Kordesman është analist për sigurinë kombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Kur dikush vjen si i jashtëm, ai përqendrohet tek ana burokratike, tek përpjekjet për të pasur ndikim tek presidenti, më shumë sesa për t’i shërbyer të gjithë atyre që e përdorin zbulimin. Ata vijnë duke e dënuar komunitetin e zbulimit jo për gabimet, por duke u nisur opinionet e tyre të njëanshme”.

Megjithatë, zoti Kordesman thotë se ka pasur disa drejtorë të suksesshëm të CIA-s që kanë ardhur nga jashtë komunitetit të zbulimit. Sfida më e madhe, thotë ai, është reformimi i agjencisë, që është përfshirë nga kofuzioni që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Zoti Paneta, nëse emërimi i tij konfirmohet do të ketë autoritetin e drejtimit të përpjekjeve për gjetjen e terroristëve të al-Kaidës kudo në botë.

Ekipi i tranzicionit ka ndërmarrë të gjitha hapat për të zbutur pakënaqësitë e demokratëve lidhur me kandidaturën e zotit Paneta, por edhe për faktin që lajmi për emërimin e

mundshëm të tij doli në media, para se të informoheshin figura të rëndësishme në Senat. Ekipi i tranzicionit thotë se zoti Obama ka ndër mend të mbajë në detyrë numrin 2 të CIA-s Stiven Kapes, një veteran i agjencisë.

Një debat tjetër që ka lindur këto ditë mbi emërimet është ai i guvernatorit të Nju Meksikos Bill Riçarson, i cili u tërhoq nga posti që ishte caktuar, Sekretar i Departamentit të Tregëtisë, për shkak të një hetimi.

Prokurorët federalë po hetojnë nëse ish-shefi i personelit të Bill Riçardsonit,i ka dhënë një kontratë shtetërore prej 1, 5 milionë dollarësh firmës së këshilltarit financiar David Rubin, i cili kishte dhuruar 100,000 dollarë për veprimtaritë politike të zotit Richardson.

Më pas dolën edhe njoftime të tjera, sipas së cilave zoti Rubin ka dhuruar 26, 200 dollarë për Partinë Demokrate në shtator dhe 3,300 dollarë për fushatën e zotit Obama. Këshilltarët e zotit Obama nuk ka komentuar për këto informacione. Hetimi duket se ishte më serioz se sa mendohej në fillim dhe kjo e detyroi zotin Riçardson të tërhiqet nga posti i ofruar.

Ndërkohë, dje senati i ri bëri betimin, por Roland Burris, i emëruar nga Guvernatori i Ilinoit Rod Blagojevich, për të zënë vendin e zotit Obama në senat, nuk u lejua të hyjë.

Emërimi i zotit Burris, është në fakt legjitim por i bërë nga një guvernator, i përfshirë nga skandali. Çdo lëvizje e zoti Burris dje u ndoq nga afër nga shtypi. Ai tha se tani do t’i drejtohet gjykatave. //kk//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG