Lidhje

Mosmarrëveshja Ukrainë-Rusi kërcënon konsumatorët evropiane


Kryeministri Vladimir Putin miratoi ndërprerjen e gazit natyror rus për Ukrainën. Më parë Ukraina mbylli të katër linjat e dërgimit të gazit për në Evropë.

Vendimi i kryeministrit Putin për të ndalur transportimin e gazit për në Ukrainë u bazua në rekomandimin e drejtorit të Gazpromit, Aleksei Miller.

Zoti Putin i tha zotit Miller se është dakort me propozimin e tij, por theksoi se ndërprerja duhet të bëhet sa më publike që të jetë e mundur në praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga kryeministri zoti Miller tha se Gazpromi ka prova të dokumentuara se Ukraina shkaktoi ndërprerjen e furnizimeve për Evropën.

Por ka mospërputhje për kohën që kanë ndodhur ngjarjet.

Zyrtarët ukrainas njoftuan se Rusia i ndërpreu furnizimet disa orë para takimit Putin-Miller. Kievi tha se ishte pikërisht kjo ndërprerje që detyroi Ukrainën të mbyllte tubacionet e gazit që furnizojnë Evropën.

Gjatë gjithë ditës zyrtarët rus këmbëngulën se ata kishin ndërprerë vetëm 21 milionë metra kub, sasia e gazit që rusët akuzojnë se Ukraina ka vjedhur nga Rusia qysh një ditë më parë.

Zëdhënësi i kompanisë ukrainase të gazit Valentin Zemlianski i tha Zërit të Amerikës se sistemi i tubacioneve të gazit në vend po shfrytëzohej tashmë për të mënjanuar ndërprerje të furnizimeve në Ukrainën lindore.

Ai thotë se sistemi ukrainas nuk është bosh pasi po punon nga rezervat, që do të thotë se gazi po nxirret nga çisternat nëntokësore në Urakinën perëndimore dhe po dërgohet për konsumatorët në pjesën lindore të vendit.

Zyrtarët ukrainas mohojnë të kenë vjedhur gazin rus dhe thonë se vendi ka rezerva të mjaftueshme deri në muajin prill.

Ukraina thotë se ishte detyruar të përdorte rezervat për të mbajtur presionin e nevojshëm në tubacione për të çuar gazin tek konsumatorët evropianë para se t’i mbyllte ato.

Mungesat po ndjehen deri në Francë dhe Gjermani. Ndërprerje e plotëfurnizimesh është njoftuar në Bullgari, Greqi, Maqedoni, Rumani, Kroaci, Serbi dhe Turqi.

Temperaturat nën zero në pjesën më të madhe të Evropës po shtojnë kërkesat për gaz dhe disa qeveri kanë bërë thirrje për kursimin e tij. Ndërsa disa vende kanë rezerva ose burime alternative, Bullgaria mbështetet pothuajse plotësisht në gazin rus dhe presidenti i vendit Georgi Parvanos tha se mund të rindezë një nga reaktorët bërthamorë, që Bashkimi Evropian e kishte cilësuar si jo të sigurtë.

Rusia dhe Ukraina pritet të zhvillojnë bisedime të drejtëpërdrejta të enjten, me synimin për të zgjidhur situatën e krijuar.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të dërgimit të gazit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak theksoi të martën përmes një deklarate se ndërprerja e gazit është e patolerueshme dhe se ky rast flet për nevojën kritike për të patur burime të tjera gazi natyror si dhe burime të tjera energjitike. //rd//

XS
SM
MD
LG