Lidhje

Takimi i presidentëve amerikanë, një ngjarje historike


Presidenti Bush dhe presidenti i zgjedhur Barak Obama u takuan privatisht për gjysmë ore dje në mëngjes, para një takimi tjetër që mund të quhet historik. Të dy ata hëngrën drekë me tre ish presidentët e tjerë: Jimmy Carter, George Bush, i jati i presidentit Bush dhe Bill Clinton.

Pesë presidentë, tre të kaluar, ai aktuali dhe presidenti i ardhshëm u takuan dje në Shtëpinë e Bardhë.

Disa mund ta quajnë një drekë mes të parëve, por takimi ngjante më shumë si bashkim vëllezërish. Ata më të mëdhenjtë japin mbështetjen për më të riun: Barak Obama.

“Ne duam që të kesh sukses. Qofshim demokratë, apo republikanë, ne e duam shumë këtë vend”, tha Presidenti Bush.

“Ky është një takim i jashtëzakonshëm. Të gjithë ju e kuptoni si presionin edhe shanset e kësaj detyre”, tha Presidenti i Zgjedhur Obama.

Zakonisht janë funeralet ato që mbledhin ish-presidentët së bashku. Hera e fundit, kur të gjithë presidentët u mblodhën në Shtëpinë e Bardhë ishte në vitin 1981 për të kujtuar një udhëheqës të huaj që kishte vdekur.

Dreka e pazakontë e djeshme, që zgjati një orë e gjysmë, shërbeu për të ndarë përvojën dhe këshilla me personin që do të drejtojë vendin në një kohë të vështirë.

“Të gjithë ne që kemi shërbyer në këtë post, e kuptojmë që detyra qëndron mbi individin”.

84 vjeçari Jimmy Carter ishte president në vitet 1970. Analistët thonë se në atë kohë kjo detyrë kishte humbur peshë nga skandalet dhe Kongresi kishte epërsi.

Benjamin Ginsberg i Universitetit Johns Hopkins thotë se ekzekutivi u forcua pas mandatit të zotit Carter.

“Unë parashikoj që presidenti Obama të vazhdojë në këtë rrugë. Kështuqë ajo që shohim në këtë drekë është e shkuara e Jimmy Carterit dhe fillimi dhe vazhdimi i së resë, pra presidentët e fuqishëm”.

Pas drekës, zyra e zotit Obama tha se ka në plan që të ketë kontakte me të gjithë ish-presidentët.

Është një klub i vogël ai i presidentëve. Zoti Obama do të jetëi 44-ti kur të marrë detyrën më 20 janar. //kk//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG