Lidhje

Mosha në sytë e regjisorit dhe fotografit Endru Zukerman



Regjisori dhe fotografi Endru Zukerman thotë se shoqëria e sotme perëndimore është e tepër e dhënë pas moshës së re, dhe i mungon pasuria e njohurive që përftohet nga eksperienca e viteve. Në projektin e tij të fundit, ai ka dalë në kërkim të këtyre njohurive. Rezultati - një libër me portrete dhe intervista si dhe 60 minuta regjistrime filmike, të mbledhura nën titullin “Wisdom- Dituria”.

Endru Zukerman shpenzoi 12 muaj duke udhëtuar qindra mijëra kilometra rreth globit, duke vizituar qytete të mëdha e fshatra të vegjël, për të grumbulluar dijet e 51 të moshuarve, e për t’i regjistruar ato në fotografi e kaseta.

“U frymëzova nga një thënie e Desmond Tutu-s, sipas të cilit një prej dhuratave më të mëdha që mund t’u japim brezave të tjerë, është përvoja jonë, dituria jonë”.

Kryepeshkopi Tutu renditet mes atyre i cili ua jep të tjerëve diturinë e tij.

“Je më tepër i bekuar kur jep se sa kur kërkon, sepse ndonëse nuk është e dukshme, ti vetë përfiton nga kjo”.

Mes të moshuarve të tjerë të intervistuar renditen Nelson Mandela dhe Vacllav Havel, artistë si amerikani Andrju Weith apo jugafrikani Asther MAhlangu, muzikantët amerikanë Uilli Nelson dhe Deiv Brubek; Xhein Gudall, e njohur për kërkimet e saj shkencore mbi shimpanzetë si dhe astronauti Baz Olldrin.

“Mendoj që fjala mënçuri nuk është e lehtë për t’u përcaktuar përfundimisht nga pikpamja kuptimore. E dija se do të kisha nevojë të mblidhja sa më shumë pikëpamje që të kisha mundësi”.

Çdo i moshuar- nga senatori Ted Kenedi te regjizori dhe aktori Klint Istvud, u xhirua përpara një sfondi të bardhë.

“Nuk isha i interesuar në gjërat që ata kishin bërë. Nuk isha i interesuar të fotografoja një shkrimtar përpara librave të tij, apo një piktor përpara piktures së tij. Ideja ishte tek thelbi i jetës së tyre dhe këndvështrimet e tyre në jetë”, thotë regjisori.

Ja cila është filozofia e muzikantit të folkut, Graham Nash.

“ Jeta nuk është e përkryer. Kurrë nuk mund të jetë. Ju thjesht duhet të jepni më të mirën tuaj dhe të hapni zemrën përpara asaj çka bota iu ofron”.

Ish kampionja e tenisit, Billi Xhin King jep këshilla për mbrojtjen e mjedisit.

“Nisni të përdorni të njëjtën çantë çdo ditë, që të keni mundësi t’a pastroni. Mos harxhoni ujin, pëpiquni të ecni sa më tepër. Përpiquni të udhëtoni me biçikleta”.

Artisti amerikan Çak Kloset jep këshilla për martesën:

“Jam i martuar prej 40 vjetësh. Jo me një martesë të vetme. Në një kohëzgjatje të tillë duhet të kesh 4 apo 5 martesa të ndryshme”.

Si dhe një këshillë për plakjen nga shkrimtarja britanike Rosamund Pilçer.

“Nuk duhet të ndalni së kryeri gjëra sepse jeni plakur. Jo. Ju plakeni sepse nuk realizoni më gjëra”.

“Të gjithë këta njerëz, pikërisht se kanë vazhduar të jenë aktivë, kanë dhënë ndihmesa të rëndësishme për shoqërinë dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë për një kohë të gjatë”, thotë Zukerman.

XS
SM
MD
LG