Lidhje

Presidenti i zgjedhur Obama zgjedh ekipin e zbulimit


Presidenti i zgjedhur Barak Obama përfundoi dje emërimet për ekipin e sigurisë kombëtare dhe bëri publike emrat e shefave të departamenteve të zbulimit. Zoti Obama përzgjodhi Drejtorin e CIA-s dhe Shefin e Zbulimit Kombëtar nga qarqe jashtë kësaj organizate. Përzgjedhjet e zotit Obama kanë përvojë të gjatë në çështje politike dhe ushtarake por nuk kanë përvojë pune në fushën e zbulimit.

Presidenti i zgjedhur Obama emëroi admiralin në pension Denis Blair si Drejtor të Zbulimit Kombëtar si dhe zgjodhi ish Shefin e Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë Leon Paneta si kreun e ri të CIAs.

Zoti Obama tha se karakteri dhe aftësitë e dy të përzgjedhurve i bëjnë ata kandidatë të denjë për këto poste.

"Kam besim se Denis Bler dhe Leon Paneta janë drejtuesit e duhur për të çuar përpara punën e bashkësive të zbulimit. Ata i kanë shërbyer popullit amerikan me ndershmëri, me përvojë të gjerë, me aftësi drejtuese të forta dhe me pragmatizimin që na duhet në këto kohë të vështira”.

Zoti Obama tha se këta dy individë janë të vendosur për të vepruar kundër praktikave shumë të përfolura të zbatuara gjatë administratës së presidentit Bush.

"E kemi bërë të qartë si gjatë fushatës edhe gjatë kalimit të pushtetit se, gjatë administratës që do të drejtoj unë, Shtetet e Bashkuara nuk do të torturojnë njeri. Ne do të respektojmë konventat e Gjenevës dhe do të mbajmë lart vlerat dhe idealet tona. Dhe këtë ia kam bërë të qartë Admiralit Bler dhe zotit Leon Paneta”.

Asnjë nga dy drejtuesit e përzgjedhur nuk ka përvojë në çështjet e zbulimit. Zgjedhja e zotit Paneta si shef i CIAs habiti disa dhe u përfol shumë nga shtypi kur u mor vesh lajmi. Por, disi çuditshëm, asnjë nga gazetarët nuk e ngriti çështjen e përvojës në konferencën për shtyp gjatë së cilës zoti Obama njoftoi zgjedhjet e tij.

Ejmi Zegart, profesore për çështje të zbulimit në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos thotë se ka pasur edhe herë të tjera, kur njerëz jashtë CIAs janë zgjedhur për të drejtuar këtë agjenci por shpesh ata janë përballur me rezistencë nga burokracia e saj.

"CIA është agjenci sekrete. Nuk është Departamenti i Tregtisë apo ndonjë departament tjetër. Në këtë agjenci nuk mund të marrësh lehtësisht informacione mbi politikat e saj apo mbi vendimet e saj në të kaluarën. Çdo gjë është tepër e mbyllur dhe për këdo është e vështirë të kuptojë se ç’ndodh në të vërtetë. Zgjedhja e zotit Obama është edhe më e çuditshme pasi ndodh në një moment kur vendi ndodhet në dy luftra”.

Një ish oficer i CIAs Geri Berntsen, i cili punoi për fushatën e kandidatit republikan për president Xhon Mekein, beson se zoti Obama ashtu si disa presidentë të tjerë ka dyshime për CIAn ndaj dhe do që një i besuar i tij ta drejtojë këtë agjenci.

"Kam dyshimin se presidenti i zgjedhur Obama si shumë presidentë demokratë të tjerë ka dyshime dhe frikë nga CIA dhe do që personi që do ta drejtojë agjencinë do të sigurohet që CIA nuk e tejkalon pushtetin e saj apo rrezikon së tepërmi. Ai do të rivendosë një shkallë më të lartë kontrolli dhe burokracie në këtë organizatë”.

Por, duke u munduar të zbuste shqetësimet se një person jashtë agjencisë do të marrë drejtimin e saj së shpejti, drejtori aktual i CIAs Majkëll Hajdën i dërgoi një shënim punonjësve të CIAs dje. Ai tha se së bashku me zëvendësin e tij ishin takuar me zotin Leon Paneta dhe se atyre u kishte bërë përshtypje të madhe ngrohtësia e zotit Paneta dhe dedikimi i tij në të mirë të punonjësve të CIAs si dhe dëshira e tij për të mësuar sa më shumë nga bota e zbulimit dhe spiunazhit. //ad//

XS
SM
MD
LG