Lidhje

Sulmet rrisin mbështetjen e Bregut Perëndimor për Hamasin


Ofensiva izraelite në Rripin e Gazës po zemëron gjithnjë e më shumë palestinezët në Bregun Perëndimor. Shumë prej tyre po shprehin mbështetjen ndaj Hamasit, grupi militant që kontrollon Gazën. Ata akuzojnë presidentin palestinez Mahmud Abas se nuk po bën sa duhet për të mbrojtur palestinezët në Gaza.

Mjekët dhe infermierët palestinezë u mblodhën në Ramallahun qendror për të protestuar ndaj sulmeve izraelite në Rripin e Gazës. Demonstrata të tilla janë bërë thuajse të përditshme në Bregun Perëndimor. Imazhet e fëmijëve të vdekur kanë nxitur protesta nga njerëz që zakonisht thonë se normalisht nuk dalin në rrugë.

Siham Naser, infermier palestinez flet për pamjet e fëmijëve dhe grave që nuk mund të mbrojnë veten dhe familjet. Ai thotë se izraelitët po hedhin granata në shtëpitë e tyre dhe se njerëzit nuk kanë armë për t’u vetëmbrojtur.

Presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas dhe fraksioni i tij i moderuar Fatah administrojnë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Fatahu, rivali i Hamasit po përpiqet t’i mbajë nën kontroll protestat. Fatahu thotë se zemërimi mund të shtojë mbështetjen ndaj Hamasit në Bregun Perëndimor.

Shumë politikanë të Hamasit këtu janë në burg. Të tjerët thonë se ofensiva izraelite në Gazë ka ndihmuar në krijimin e mbështetjes për Hamasin mes palestinezëve të Bregut Perëndimor të cilët e akuzojnë zotin Abas dhe Fatahun se po tregohen shumë të butë ndaj shtetit hebraik.

“Kur zoti Abas flet për agresionin kundër Gazës, ai nuk bën përgjegjës pushtimin izraelit, që faktikisht është arsyeja e asaj që po ndodh atje.”

Megjithëse Izraeli i tërhoqi trupat dhe kolonët nga Gaza në vitin 2005, ai vazhdon të kontrollojë hyrje-daljet në Rripin e Gazës përmes kalimeve kufitare. Kur Izraeli mbyll kufijtë, banorët e Gazës nuk mund të marrin ushqime apo të eksportojnë prodhimet e tyre.

Shumë palestinezë në Bregun Perëndimor kanë shprehur prej kohësh zemërim ndaj qeverisë së zotit Abas, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe për bashkëpunim me Izraelin. Kjo grua thotë se po të votonte ajo do t’ia jepte votën Hamasit.

"Sigurisht, do të votoja për njerëzit që e luftojnë pushtimin, që na mbrojnë dhe na sjellin dinjitet, dhe jo për ata që duan poste sa për të futur para në xhepat e tyre.”

Izraeli thotë se do t’i ndalë sulmet kundër Gazës kur të ketë asgjësuar mundësitë e Hamasit për të hedhur raketa. Zyrtarët izraelitë akuzojnë Hamasin se po përdor civilët për të mbrojtur militantët dhe për të fshehur raketat.

Statuti i Hamasit bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit. Gjatë një armëpushimi gjashtë-mujor, Hamasi dhe Izraeli akuzonin njëri-tjetrin për shkeljen e marrëveshjes. Hamasi refuzoi ta ripërtërinte armëpushimin, dhe raketat e tyre kundër Izraelit i dhanë shkas ndërhyrjes në Gazë. //bsa//

XS
SM
MD
LG