Lidhje

Rripi i Gazës: Shkallëzohen tensionet; palët larg armëpushimit


Një udhëheqës i lartë i Hamasit tha se lufta në Gazë u ka dhënë fund mundësive për bisedime me Izraelin dhe ftoi vendet arabe që t’i bëjnë presion Izraelit për të ndalur sulmet. Udhëheqësi i Hamasit me bazë në Damask, Khaled Mashaal, i bëri këto komente në kanalin televiziv Al-Jazeera ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës hyri në javën e tretë.

Avionët luftarakë të Izraelit, helikopterët dhe anijet po vazhdojnë të qëllojnë objektivat në Gaza. Burimet mjeksore atje njoftojnë për një rast ku të paktën 8 palestinezë janë vrarë nga një predhë e tankeve izraelite në kampin e refugjatëve në Jabalia.

Izraeli i ka paralajmëruar banorët e Gazës se do të ketë edhe më shumë operacione në të ardhmën. Forcat ajrore kanë hedhur fletushka dhe ushtria në mënyrë të rastësishme ka telefonuar banorët e Gazës duke i paralajmëruar ata për shkallëzime të sulmeve. Gazetari palestinez, Mohamad Dauass, ndodhet në pjesën qendrore të qytetit Gazë dhe njoftoi Zërin e Amerikës se edhe ai ka marrë një mesazh të ngjashëm.

“Ushtria izraelite na telefonoi mbrëmë duke na thënë se do të vazhdojë me fazën e tretë të ofensivës. Ata po ashtu na udhëzuan që të mos qëndrojmë pranë anëtarëve të Hamasit dhe t’u bindemi urdhërave të ushtrisë izraelite.”

Zoti Dauas thotë se telefonata të tilla të rastësishme nuk janë të pazakonta. Me t’i marrë këto telefonata njerëzit ia përcjellin mesazhin familjarëve, miqve dhe fqinjëve. Burimet spitalore të Gazës thanë se numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva e Izraelit deri tani ka kaluar 800 vetë. Sipas parashikimeve të tyre, gjysma e këtij numri janë civilë. Organizatat humanitare po ashtu kanë paralajmëruar për thellimin e krizës humanitare, ndërkohë që spitalet po stërmbushen me të plagosur dhe ushqimi po pakësohet. Muhamad Dauas tha se jeta është vështirësuar pasi njërëzit po ballafaqohen me mungesë të ushqimit, energjisë, furnizimit me ujë të pishëm dhe me shqetësime të vazhdueshme nga bombardimet dhe artileria.

“Jeta po vështirësohet dita ditës. Nganjëherë është shumë e vështirë të gjesh diçka pasi tregjet janë të mbyllura. Nuk ka më jetë. Nëse dëshiron të blesh diçka, të duhet ta kërkosh, ta marrësh kontrabandë, duhet të luftosh për t’ia arritur të marrësh diçka për të ngrënë.”

Izraeli e filloi ofensivën me 27 dhjetor si kundërpërgjigje ndaj shtimit të sulmeve të Hamasit me raketa në jug të Izraelit. Qeveria thotë se nuk do ta ndalë ofensivën deri sa të ndalen sulmet me raketa dhe deri sa Hamasi të mos jetë në gjendje të riarmatoset.

Hamasi vazhdon të hedhë raketa brenda Izraelit. Asnjëra nga palët nuk duket e gatshme për t’i dhënë fund sulmeve, megjithë rezolutën e OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Bisedimet po zhvillohen në Kajro, ku Egjipti po bën përpjekje për të arritur një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve. //ad//

XS
SM
MD
LG