Lidhje

Furnizimet me gaz pezull, pavarësisht nga marrëveshja me BE


Rusia tha dje se është e gatshme të rifillojë furnizimin me gaz të Evropës përmes Ukrainës, pas një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian ku parashikohet një prani e vëzhguesve ndërkombëtarë për të mbikqyrur transportin e gazit. Megjithatë, Moska thotë se furnizimet me gaz nuk do të rifillojnë nëse Kievi nuk nënshkruan një marrëveshje për të lejuar në ekipin mbikqyrës edhe specialistë rusë.

Grupi i parë i vëzhguesve evropianë mbërriti në Kiev për të ndihmuar në sheshimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë lidhur me furnizimin me gaz që ka prekur rreth 20 vende.

Në grupin e vëzhguesve përfshihet edhe Filip Kornelis, ndihmës i Drejtorit të Përgjithshëm për Transportin dhe Energjinë pranë Komisionit Evropian. Ai tha se ekipi synon të mbikqyrë rifillimin sa më të shpejt që të jetë e mundur të furnizimit me gaz të Evropës nga gjiganti rus i energjisë Gazprom përmes sistemit ukrainas të tubacioneve.

“Synimi i misionit tonë mbikqyrës është të verifikojmë vëllimin e gazit që kalon përmes sistemit ukrainas të tubacioneve dhe ta krahasojmë atë me sasinë e gazit që u shkon konsumatorëve evropianë me të cilët ka kontratë Gazpromi.”

Pavarësisht nga marrëveshja me Rusinë, vëzhguesit evropianë njoftuan se nuk kishin parë transport gazi rus dje.

Kryeministri rus Vladimir Putin i tha kryeministrit çek Mirek Topolanek që ndodhet për vizitë në Rusi, se Ukraina duhet së pari të firmosë një marrëveshje që do t’i lejonte rusët të jenë pjesë e ekipit mbikqyrës. Komentet e tij u përkthyen nga kanali rus Rusia Sot:

“Shpresoj se keni arritur të bindni partnerët ukrainas se është e nevojshme të nënshkruajnë dokumente në lidhje me tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës. Këto dokumente do të përcaktojnë parimet dhe listën e pjesëmarrësve.”

Zoti Topolanek la të kuptohej se Bashkimi Evropian ka një marrëveshje gojore me Ukrainën, e cila u lejon rusëve të mbikqyrin transportin e gazit.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian Pia Arenkilde-Hansen thotë se gjiganti rus i energjisë, Gazprom, duhet të përmbushë detyrimet e tij në bazë të kontratave të biznesit:

“Tani ekziston një marrëveshje mbi hollësitë e misionit vëzhgues. Prandaj, ashtu siç e ka shprehur edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Barrozo, ka rëndësi vendimtare që të rihapen tubacionet e gazit drejt Bashkimit Evropian pa vonesa të mëtejshme.”

Moska pezulloi furnizimin e Evropës përmes Ukrainës këtë javë, pasi akuzoi Kievin se po vidhte gaz natyror për të kompensuar mungesat në furnizimin e vendit. Ukraina e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Mosmarrëveshjet Moskë-Kiev janë shndërruar në një barrë të rëndë në Evropën Lindore, ku institucione publike si shkolla dhe klinika u mbyllën dje për arsye të mungesave në furnizimet me gaz.

Të paktën 12 vetë kanë vdekur nga të ftohtët në Evropën Lindore, ku qindra mijëra vetë janë aktualisht pa ngrohje në kushtet e një dimri shumë të ashpër. //ad//

XS
SM
MD
LG