Lidhje

Obama bën thirrje për miratimin shpejt të paketës së stimujve


Presidenti i zgjedhur Barak Obama vazhdon t’i bëjë thirrje Kongresit të miratojë pa humbur kohë paketën masive të stimujve ekonomikë, për të cilën ai shpreson se do të nënshkruhet në ligj që javët e para të fillimit të tij nga detyra në postin e Presidentit. Ligjvënësit amerikanë të të dyja partive janë të një mendimi, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i gjendjes ekonomike të vendit; por ende ekzistojnë mosmarrëveshje lidhur me përmbajtjen e paketës së stimujve:

Në kushtet kur Departamenti i Punës ka njoftuar se niveli i papunësisë ka arritur në 7, 2 për qind, shifra më e lartë kjo në 16 vitet e fundit, Presidenti i zgjedhur Barak Obama thotë se çdo vonesë në përpjekjet për ta penguar përkeqësimin e ekonomisë do ta rëndonte edhe më tej krizën aktuale.


"Ne nuk po përpiqemi për një miratim të sforcuar të paketës. Por për një gjë jemi të sigurtë, se sa më shpejt që ajo të miratohet, aq më shpejt do të fillojë rimëkëmbja e ekonomisë. Nuk do të mund të përballojmë dot tre, katër, pesë, apo gjashtë, muaj më të tjerë, në kushtet kur jemi duke humbur gjysëm milionë vende pune në muaj".

Këto komente zoti Obama i bëri në një intervistë të transmetuar në programin televiziv ABC NEWS. Presidenti i zgjedhur ka propozuar një paketë masive stimujsh, prej 775 miliardë dollarësh, e cila kombinon shpenzimet qeveritare për nismat e energjisë, projektet e infrastrukturës dhe propozimet për shërbimin shëndetësor, me shkurtimin e taksave për familjet me të ardhura mesatare dhe për bizneset e vogla. Zoti Obama thotë se paketa do të ndihmojë për t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga recesioni njëvjeçar dhe do t’i hapë rrugën rritjes ekonomike afatgjatë.

Lidhur me argumentin e tij se duhet vepruar shpejt, Presideni i zgjedhur nuk ka hasur në kundërshtimin e ligjvënësve. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pellosi është zotuar se nuk do t’i mbyllë diskutimet, deri në hartimin dhe miratimin e ligjit, edhe në se do t’i duhej ta anulonte pushimin e planifikuar për në shkurt.

Edhe udhëheqësi i republikanëve në Kongres, Xhon Boehner, e mbështeti thirrjen për nevojën e të vepruarit me shpejtësi, por në një intervistë në rrjetin televiziv CBS, ai shprehu dyshime për paketën masive për shpenzimet e reja federale në një kohë kur defiçiti buxhetor ka arritur në shifra rekorde.

"Mendoj se kjo masë duhet përfunduar në Kongres dhe nga Presidenti sa më shpjetqë të jetë e mundur. Vendi ka nevojë për të. Por kjo duhet bërë në mënyrë të përgjegjshme dhe jam i mendimit se shumë anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë e dinë se ne nuk mund të marrim borxhe nga njëra anë dha në anën tjetër të bëjmë shpenzime të mëdha. Ne mund t’u lemë brezave të ardhshëm një borxh gjigand".

Nevoja e kontrollit fiskal, duket se nuk i ka shpëtuar vëmendjes së presidentit të zgjedhur. Zoti Obama tha se në afat të gjatë do të nevojiten sakrifica nga të gjithë amerikanët, në mënyrë që vendi të përparojë.

"Ne po trashëgojmë një borxh prej mbi një trilionë dollarësh. Një shifër kjo e paparë ndonjëherë. Për këtë arsye nuk do të jemi në gjendje të zbatojmë gjithshka që premtuam gjatë fushatës elektorale, ashtu sikurse shpresonim".

Në zgjedhjet e nëntorit demokratët e shtuan më tej shumicën që kishin në të dyja dhomat e Kongresit. Si rezultat, analistët politikë thonë se presidenti i ardhshëm mund të arrijë të sigurojë miratimin e paketës së stimujve edhe në se atë e mbështesin një numër fare i vogël republikanësh. Por zoti Obama ka thënë se dëshiron një mbështetje të gjerë për ligjin nga të dyja partitë dhe ai është takuar me udhëheqësit e të dyja partive në Kongres për të dëgjuar idetë e tyre, por edhe për të marrë mbështetjen e tyre. //lk

XS
SM
MD
LG