Lidhje

Bush, Obama, një vështrim i së kaluarës dhe së ardhmes


Të dy presidentët amerikanë, Xhorxh Bush, i cili po largohet nga pushteti dhe Barak Obama, i cili do të fillojë presidencën e tij, u intervistuan dje nga televizione amerikane. Xhorxh Bush i hodhi një vështrim së kaluarës: tetë viteve të tij në pushtet; ndërsa Barak Obama i hodhi një vështrim së ardhmës: sfidat me të cilat ai do të ballafaqohet si presidenti i ardhshëm i vendit.

Presidenti Bush u përqendrua në të kaluarën, duke justifikuar politikat e tij gjatë periudhës që ai ishte në pushtet. Zoti Bush tha dje në programin televiziv Fox, se ai është krenar për arritjet e tij.

“E di që për tetë vjet, kam dhënë nga vetja ime gjithshka që pata mundësi, por nuk e kam shitur veten për të fituar popullaritet".

Zoti Bush po largohet nga zyrja me vlerësime të ulta nga publiku. Ai po ia dorëzon pasardhësit të tij vendin në gjendje lufte dhe në kushtet e krizës ekonomike.

Gjatë një interviste në kanalin televiziv ABC, Presidenti Obama tha se vendi do të ndeshet me zgjedhje të vështira ekonomike. Atij i bënë pyetje të dërguara nga mijëra shikues, shumica e të cilave kishin të bënin me ekonominë. Ata donin të dinin në se zoti Obama do të jetë në gjendje të përmirësojë ekonominë amerikane.

“Unë mendoj se ne do t’ia dalim për ta përmirësuar ekonominë. Por kjo do të marrë pak kohë, nuk mund të ndodhë brenda natës”.

Zotin Obama e pyetën edhe për qendrën e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos të Kubës, një çështje që ka nxitur shumë debate. Zoti Obama tha se ajo do të mbyllet, por do të marrë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar, për të zgjidhur të gjitha çështjet e përfshira juridike dhe për të krijuar një proces të ri për trajtimin e të akuzuarve për terrorizëm.

“Ne do të sigurojmë që procedurat të cilat do të përdoren do të jenë në përputhje me kushtetutën amerikane. Kjo jo vetëm që është gjëja e drejtë për t’u bërë, por në fakt një veprim i tillë duhet të jetë pjesë e strategjisë se gjërë kombëtare, pasi kështu ne do t’i dërgojmë botës mesazhin, se u kushtojmë rëndësi vlerave tona”.

Zoti Obama përsëriti shqetësimin e tij për dhunën e kohës së fundit në Lindjen e Mesme, duke thënë se administrata e tij do të përfshihet në procesin e kërkimit të një zgjidhje. Zoti Obama beson se njëra nga sfidat më të mëdha me të cilën ai do të ballafaqohet do të jetë Irani.

“Do kemi nevojë për një strategji të re. Dhe unë e kam bërë të qartë mendimin tim, një angazhim më i madh në çështjen e Iranit janë një nismë e mirë për të filluar”.

Barak Obama takohet sot me presidentin e Meksikës, Filipe Kalderon, takim ky i pari për zotin Obama me një udhëheqës të huaj, që nga fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në nëntor.
Ndërkohë, thuajse ka përfunduar puna me platformën në sheshin e Kongresit, ku do të zhvillohet ceremonia e inagurimit, si dhe vendet e spektatorëve përgjatë rrugës nga ku do të kalojë parada, jashtë Shtëpisë Bardhë.

Një numër rekord njerëzish pritet të marrin pjesë në ceremonin e inagurimit të presidentit të 44 të Shteteve të Bashkuara, edhe pse temperaturat mundet të jenë tepër të ulëta.
Edhe kundërshtarët politikë të zotit Obama thonë se mezi presin të jenë të pranishëm në inaugurimin historik të 20 janarit, mes tyre edhe nënpresidenti Dik Çejni.

“Unë mendoj se ndiej të njejtën gjë si shumë amerikan të tjerë, se është një ditë e shënuar, sepse do të kemi afrikano-amerikanin e parë që do të bëjë betimin si president i Shteteve të Bashkuara".

Zoti Çejni i bëri këto komente në televizionin CNN. //lk

XS
SM
MD
LG