Lidhje

Bush: një sulm terrorist, kërcënimi më i madh për presidentin e ri


Presidenti Bush tha se një sulm i mundshëm nga ana e terroristëve është kërcënimi më i madh me të cilin presidenti i ri Barak Obama do të përballet kur të vijë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një konferencë shtypi që dha dje, ndoshta e fundit e mandatit të tij, zoti Bush tha se ende ka armiq që do të dëshironin t’i bënin keq Amerikës. Ai theksoi se përveç grupeve terroriste, Koreja e Veriut dhe Irani mbeten të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara.

Gjatë konferencës për shtyp ku u trajtuan shumë çështje, presidenti tha se nuk e pranon vlerësimin sipas të cilit imazhi moral i Amerikës në botë është dëmtuar në 8 vjetët e presidencës së tij. Ai tha se nuk i lejoi kritikët që ta ndalonin të vepronte ashtu siç ishte e nevojshme për të mbrojtur vendin.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Bush u ka kërkuar rrjeteve televizive që ta lejojnë të mbajë një fjalim lamtumire drejtuar vendit të enjten.

Presidenti foli edhe për krizën ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se kishte marrë masa të jashtëzakonshme për të zhbllokuar tregjet e ngrira të kredive si hapi i parë drejt rigjallërimit ekonomik.

THIRRJE OPËR ARMËPUSHIM NË GAZË

Presidenti Bush bëri thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm mes Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez Hamas në mënyrë që të ndalë dhuna e tanishme.

zoti Bush tha se një armëpushim i tillë do të ishte i mundur në qoftë se Hamasi ndal goditjen e Izraelit jugor me raketa. Zoti Bush bëri gjithashtu thirrje që t'i jepet fund kontrabandimit të armëve nga Egjipti në Gazë. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Izraeli gëzon të drejtën që të vetëmbrohet.

Në të njëjtën kohë, presidenti përsëriti thirrjen për krijimin e shtetit palestinez. Ai tha se sfida do të jetë krijimi i kushteve për ekzistencën e dy demokracive, që jetojnë krahas njera tjetrës në paqe. Zoti Bush largohet nga detyra më 20 janar, dita kur presidenti i zgjedhur, Barak Obama, do të bëjë betimin si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara.

GABIMET

Presidenti Bush tha se ishte gabim vendosja e pankartës me fjalët "Misioni u Krye" në aeroplanmbajtësen ku ai mbajti fjalimin në vitin 2003 dhe ku deklaroi përfundimin e operacioneve kryesore luftarake në Irak.

Në konferencën e tij të fundit për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, zoti Bush tha se pankarta dërgoi një mesazh të gabuar.

Ai tha gjithashtu se disa nga retorikat e tij kanë qënë të gabuara.

Zoti Bush tha se ishte i zhgënjyer me abuzimet e zbuluara në burgun e Abu Graibit në Irak si dhe nga fakti se në Irak nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë.

XS
SM
MD
LG