Lidhje

Dita e Inaugurimit shënon kalimin paqësor të pushtetit


Inagurimi i presidentit të ri amerikan kurorëzon një proces politik që filloi mbi 18 muaj më parë kur kandidatët deklaruan për herë të parë aspiratat e tyre për Shtëpinë e Bardhë.

Ceremonitë me rastin e inagurimit kanë rrënjë të thella në traditën e politikës amerikane, por kanë edhe rëndësi simbolike pasi synojnë të demonstrojnë vazhdimësinë dhe forcën e sistemit politik amerikan. Në serinë e reportazheve me temë Si Zgjedh Amerika, do të shpjegojmë çfarë ndodh në ditën e inaugurimit dhe çfarë domethënieje kanë këto ceremoni:

Në orën 12 më 20 janar, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga dita e zgjedhjeve, pushteti presidencial transferohet nga presidenti aktual në presidentin që do të jetë në Shtëpinë e Bardhë për 4 vjetët e ardhshëm. Dita e inagurimit është një zinxhir i pashkëputur i një tradite prej 220 vjetësh që e ka zanafillën në vitin 1789, kur Presidenti i parë amerikan Xhorxh Uashington bëri betimin:

“Inagurimi është një moment me rëndësi të madhe simbolike për popullin amerikan, pasi është momenti kur një president i zgjedhur në mënyrë demokratike largohet nga Shtëpia e Bardhë dhe një tjetër president i zgjedhur në mënyrë demokratike merr pushtetit, në një tranzicion paqësor dhe ceremonial”.

Dita e inagurimit, thotë Profesori i Universitetit Georgetown, Mark Rom synon të demonstrojë vazhdimësi. Ceremonitë fillojnë paradreke, kur presidenti i zgjedhur vjen në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin që po mbyll mandatin. Pastaj të dy ata shkojnë në Kongres për ceremoninë e betimit. Profesor Ben Ginsberg i Universitetit Johns Hopkins:

“Ideja që Presidenti aktual dhe Presidenti i ri ulen së bashku dhe shkojnë më pas së bashku për ceremoninë e inaugurimit tregon kalimin e pushtetit në mënyrë simbolike dhe legjitime”.

Në orën 12 të ditës së inaugurimit, Presidenti i ri bën betimin para Kryetarit të Gjykatës së Lartë, prania e të cilit ka rëndësi të madhe simbolike:

“Kjo bëhet për të treguar se individi i ri do të ushtrojë pushtetin ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën amerikane, ligjet e Shteteve të Bashkuara dhe mençurinë dhe shpresat e atyre që e hartuan Kushtetutën”.

Çdo President e bën betimin me dorën mbi Bibël. Por kjo traditë, që filloi me presidentin e parë Xhorxh Uashington, nuk nënkupton një lidhje të drejtpërdrejtë me krishtërimin. Përsëri profesori Mark Rom:

“Arsyeja përse bëhet kjo nuk është për të shprehur nderim ndaj një besimi të caktuar, pra nuk është për arsye fetare, por për atë që e njohim si besimi civil, apo publik, pra nocioni se ekziston diçka më e lartë se thjeshtë populli amerikan, ka pra diçka shpirtërore në lidhje me këtë komb.”

Presidenti i ri përshëndetet me 21 të shtëna topash. Më pas ai mban fjalimin e parë zyrtar.

“Sytë e botës dhe sytë e vendit do të jenë përqendruar mbi zotin Obama për të parë se si ai do ta përkufizojë vizionin e presidencës së tij. Publiku pret të dëgjojë disa fraza të shkurtra, por të fuqishme që i japin këtij vizioni një realitet konkret për publikun”.

Pas ceremonive në Kongres, Presideti i mëparshëm largohet, ndërsa Presidenti i ri shkon në Shtëpinë e Bardhë, ku ndjek një paradë madhështore festimesh me rastin e inagurimit.

Dhe më pas... Atë mbrëmje zhvillohen një numër mbrëmjesh dhe ballosh që vazhdojnë deri në orët e vona të natës.//rd//

XS
SM
MD
LG