Lidhje

Obama premton ndryshime ndërsa afrohet dita e inaugurimit


Barak Obama do të hyjë në histori më 20 janar kur të inaugurohet si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara. Zoti Obama do të jetë presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit. A ka premtuar të sjellë ndryshim në Uashington ndërkohë që do të përballet me rënien ekonomike si dhe me vazhdimin e konfktit në Irak dhe Afganistan.

Pas fitores së tij në zgjedhje, Barak Obama premtoi se do të mbajë premtimin që bëri kur filloi fushatën presidenciale rreth dy vjet më parë.

“Kemi pritur një kohë të gjatë por sonte, si rrjedhojë e saj që ne bëmë në këtë ditë, në këto zgjedhje, në këtë moment vendimtar, ndryshimi po vjen në Amerikë”.

Presidenti i ri përballet me sfida gjigande, si brenda dhe jashtë vendit: një ekonomi në rënie, luftrat në Irak e Afganistan, konflikti në Lindjen e Mesme.

Analistët presin që zoti Obama të shfrytëzojë fjalimin e tij të inaugurimit për të qetësuar amerikanët, të cilët janë të preokupuar për ekonominë dhe të ardhmen e vendit. Frenklin Rusvelt e bëri këtë në inaugurimin e tij të parë në kulmin e Depresionit të Madh më 1933.

“Gjëja e vetme së cilës duhet t’i trembemi është vetë frika”, deklaroi ai.

Por amerikanët do të duan gjithashtui të gjejnë frymëzim si në rastin e Xhon Kenedit në vitin 1961.

“Mos pyesni se ç’mund të bëjë vendi për ju. Pyesni se ç’mund të bëni ju për vendin”.

Inaugurimet e presidentëve janë parë gjithnjë nga publiku si një nga simbolet e qendrueshme të demokracisë amerikane.

Ja ç’thotë Allan Lihtman i Universitetit Amerikan.

“Ne nuk kemi aq shumë rituale në politikën amerikane dhe rituali i inaugurimit është shumë i rëndësishëm sepse shënon kalimin paqësor nga një administratë te tjetra, në këtë rast nga njëra parti te tjetra”.

Ekziston një interesim i jashtëzakonshëm ndërkombëtar për inaurimin e Obamës ashtu si ndodhi edhe me fushatën presidenciale të këtij viti.

Analisti Stivën Hes punon në Institutin Brukings.

“Ai ka rrënjë në Paqësor, jo vetëm në Havain tonë por edhe në Indonezi. Ai ka rrënjë në Afrikë nga babai. E gjithë bota ndjen se ka një farë lidhjeje me këtë president të Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Obama hyri në histori si presidenti i parë afrikano-amerikan, diçka që pak njerëz e përfytyronin qoftë edhe pak vite më parë, thotë Lihtman.

“Vetë Shtëpia e Bardhë ka qenë ndërtuar nga skllevërit dhe tani ne kemi një president afrikano-amerikan shumë më herët se sa prisnin ekspertët. Barak Obama është një fenomen i vërtetë në politikën amerikane. Ai e ka kapërcyer konceptin e racës. Ai e bëri fushatën si kandidat i të gjithë amerikanëve dhe jo i afrikano-amerikanëve”.

Tradicionalisht, inaugurimet e presidentëve janë një moment feste që shorohet me parada dhe me ballo të kushtueshme.

Por duke patur parasysh problemet ekonomike dhe të politikës së jashtëme, zoti Obama do të ketë pak kohë për të festuar.

Por ekspertët si Stivën Hes thonë se sfidat e mëdha përmbajnë edhe shanse të mëdha.

“Kur shohim historinë e Shteteve të Bashkuara dhe kur flasim për presidentët e mëdhenj gjithnjë kuptojmë se ata kanë qenë presidentë të mëdhanj në momente shumë të rëndësishme”.

Zoti Obama e fillon mandatin e tij në klimën e një dashamirësie nga ana e publikut. Anketat tregojnë se amerikanët përgjithësisht e pëlqejnë mënyrën se si ai ka vepruar deri tani për sa i përket kalimit të pushtetit dhe se ata kanë besim te aftësia e tij për të qeverisuar dhe bashkuar vendin. (ze)

XS
SM
MD
LG