Lidhje

A.I. shpreh shqetësim për incidentin me gazetën "TemA"


Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, shpreh shqetësim për incidentin që ka të bëjë me gazetën "TemA" dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare të kryejë hetime të plota dhe të pavarura për të përcaktuar shkaqet reale për shpërthimin e automjetit të drejtorit të gazetës, Mero Baze.

Analistja e kësaj organizate për Ballkanin, Shon Xhons, thotë se për momentin, zhvillimet që kanë të bëjnë me gazetën "TemA" janë mjaft komplekse dhe Amnesty International nuk është plotësisht e bindur për motivin e mbylljes së zyrave të gazetës.

“Ajo që në pamje të parë duket si kërcënim për të kufizuar lirinë e shypit, mund edhe të rezultojë çështje kontraktuale mes qeverisë dhe vetë kompanisë, pasi edhe kompani të tjera që e kishin aktivitetin e tyre në atë godinë janë larguar së andejmi. Gjithashtu kjo çështje po shqyrtohet nga gjykata. Prandaj Amnesty International do të dëshironte së tepërmi që qeveria të bënte një deklaratë për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”.

Brenda një muaji, gazetës "TemA" iu kërkua të largohej nga godina, pronarit të saj, gazetarit Mero Baze i digjet automjeti dhe ditët e fundit policia bllokon mjediset e gazetës dhe nuk i lejon gazetarët të hynë në ndërtesë. Amnesty Internatinal u bën thirrje autoriteteve shqiptare të bëjnë hetime të hollësishme për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të makinës së zotit Baze.

“Ne do t’u kërkonin autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të plota dhe të pavarura për arsyet e shpërthimit të makinës. Meqënëse pronari i makinës thotë se ky ishte një akt i qëllimshëm shantazhi kundër tij, ndërsa policia thotë se ai ishte rezultat i një qarku të shkurtër, ekspertët e kriminalistikës do të përcaktonin shkakun e shpërthimit”.

Shon Xhons e Amnesty International thotë se kanë kaluar disa vjet që në Shqipëri nuk ka patur incidente të ngjashme, si ky i fundi, për të shtypur fjalën e lirë, prandaj organizata nuk po nxitohet të nxjerrë konkluzione para përfundimit të procesit gjyqësor dhe hetimit nga ekspertët e kriminalistikës.

Zonja Xhons thotë se gjendja e lirisë së shtypit në Shqipëri nuk ka qënë problematike si në disa vende të tjera të rajonit, megjithë disa inscidente të atykëtushme, por Amnesty International, thekson ajo, po ndjek me vemendje zhvillimet lidhur me gazetën "TemA" dhe do të pronuncohet sipas të dhënave që do të ketë në dispozicion. (ze)

XS
SM
MD
LG