Lidhje

Trashëgimia e Presidentit Bush


Presidenti George Bush do të kthehet së shpejti në shtetin e tij Teksas pas tetë vitesh të vështira në historinë amerikane. Por çfarë gjurmësh le pas Presidenti i 43-të dhe si do të kujtohet ai nga të tjerët?

Presidenca e tij filloi nën hijen e një polemike për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo përfundoi me vendin në luftë dhe në krizë ekonomike.

Shija e hidhur e zgjedhjeve të vitit 2000, të cilat u vendosën nga Gjykata e Lartë, vazhdoi disa muaj pas fillimit të mandatit të tij presidencial. Pastaj erdhi 11 shtatori 2001. Vendi i zhytur në një valë zie dhe zemërimi u bashkua përkohësisht rreth Presidentit Bush.

“Unë ju dëgjoj. Edhe bota ju dëgjon. Dhe njerëzit që rrëzuan këto ndërtesa do të na dëgjojnë të gjithëve së shpejti”, tha presidenti në Nju Jork.

Ishte një moment vendimtar për presidencën Bush. Ai u bë njeriu me një mision të qartë: të garantonte sigurinë e Amerikës.

“Me urdhërin tim, ushtria amerikane ka filluar goditjet kundër kampeve stërvitore të al-Kaidës dhe instalimeve ushtarake të regjimit taleban në Afganistan”.

Brenda një viti u hartuan plane për të dërguar trupa amerikane në një front të dytë. Me popullaritetin e tij në rritje, George W. Bush paraqiti argumentet për ndërhyrjen ushtarake që do të largonte nga pushteti udhëheqësin irakian, Saddam Hussein.

“Nëse presim që kërcënimi të materializohet plotësisht, atëhere pritja do të jetë tepër e gjatë”.

Pas dekadash retorike për teorinë e frenimit, koncepti i luftës parandaluese u bë një alternativë konkrete. Shumë shpejt, trupat amerikane u dërguan në Irak. Por me rritjen e numrit të viktimave amerikane, niveli i miratimit të Presidentit nga publiku filloi të bjerë.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se historia mund të mos e trajtojë me shumë dashamirësi luftën. Ja si shprehet Anthony Cordesman, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Nuk mendoj se kjo administratë do të mbahet mënd për mirë. U bënë shumë gabime dhe administrata u mbështet shumë në objektiva ideologjike”.

Lufta vazhdonte kur uragani Katrina goditi Gjirin e Meksikës në gusht 2005. Qeveria nuk ishte e përgatitur të përballonte një krizë të tillë kur digat, që mbronin qytetin New Orleans në Louisiana u çanë. Presidenti Bush pa nga afër shkatërrimet nga aeroplani i tij presidencial ndërsa kthehej në Washington nga pushimet në fermën e tij në Texas. Pas dy javësh, ai mbajti një fjalim për vendin nga sheshi kryesor i atij qyteti.

“Amerikanët kanë plotësisht të drejtë të presin përgjigje më të efektshme në kohe emergjente. Kur qeveria federale nuk përmbush një detyrim të tillë, unë si president mbaj përgjegjësi për problemin dhe për zgjidhjen e tij”.

Ken Uollsh është korrespondent veteran i Shtëpisë së Bardhë për revistën U.S. News and World Report. Ai thotë se përgjigja e publikut ndaj krizës së shkaktuar nga uragani Katrina ishte shumë e dëmshme.

“Reagimi i njerzve ishte se si u lanë banorët e Nju Orlinsit të bllokuar në stadium, në çatitë e shtëpive dhe nuk iu dha ndihmë. Ne supozohemi të jemi superfuqi dhe dimë si të përballojmë krizat. Një imazh i tillë avulloi menjëherë”.

Shkatërrimet e shkaktuara nga uragani Katrina dhe operacionet ushtarake në Irak mjegulluan lajmet rreth ndoshta arritjes më të madhe të administratës Bush në botë: Kriza e Sidës.

Në vitin 2003, zoti Bush ndërmori një program për të luftuar këtë sëmundje në Afrikë dhe gjetkë, duke ndihmuar rreth 10 milion njerëz. Zoti Uollsh thotë se kjo arritje mund të jetë trashëgimia më pozitive e presidentit Bush.

“Kjo ndihmë për Afrikën për të luftuar Sidën dhe virusin HIV ka qënë një nismë shumë e sukseshme dhe presidenti Bush nuk ka marrë meritën e duhur për të”.

Ndërsa afroheshin ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë, personi që dikur krenohej se rrallë herë shfaqte emocionet e tij, tregoi shenja nostalgjike.

“Kur të vijë dita, më 20 janar, unë dhe Laura do të kthehemi në Teksas me kujtime të çmuara për kohën që qëndruam këtu, me mirënjohje të madhe për nderin që na u dha për t’i shërbyer këtij vendi të mrekullueshëm”.

Fluturimin e tij për t’u kthyer në Texas, zoti Bush me gruan e tij do ta bëjë me një prej aeroplanëve ushtarakë që përdoren për udhëtimet e presidentit në gjithë vendin dhe nëpër botë. Por ky aeroplan nuk do të mbajë kodin "Air Force One," i cili rezervohet vetëm për presidentin e Shteteve të Bashkuara. (ze)

XS
SM
MD
LG