Lidhje

Strategjia e zotit Obama kundër al-Kaides


Një kasetë e re që i atribuohet Osama Bin Ladenit i bën thirrje myslimanëve që të fillojnë xhihadin apo luftën e shenjtë për të ndalur ofensivën izraelite kundër Rripit të Gazës. Kaseta u publikua sot në faqet islamike ku Al-Kaida i nxjerr zakonisht mesazhet e saj. Vërtetësia e kasetës nuk është verifikuar ende.

Al-Kaida pritet të jetë një nga përparësitë kryesore të presidentit të zgjedhur Barak Obama. Një nga udhëheqësit e lartë të Al-Kaidës e ka sfiduar sinqeritetin e zotit Obama në lidhje me deklaratat e këtij të fundit se do të përpiqet ta ndihmojë Lindjen e Mesme. Disa nga ekspertët e terrorizmit në Uashington flasin për objektivat përfundimtare të Al-Kaidës dhe mundësitë e zotit Obama për ta trajtuar këtë problem.

Më shumë se shtatë vjet pas sulmeve terroriste në Nju Jork, rrjeti terrorist i Al-Kaidës vazhdon të zërë vend në njoftimet e lajmeve.

Sulmi terrorist në Pakistan, gjyqet e të dyshuarve të Al-Kaidës në Gjirin Guantanamo, apo militantët e vrarë nga sulmet amerikane në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit – të gjithë këto incidente kanë vazhduar të tërheqin vëmendjen mbi rrjetin terrorist.

Eliminimi i Al-Kaidës do të vazhdojë të jetë prioritet i Shteteve të Bashkuara në administratën e presidentit Barak Obama.

“Duhet të vazhdojmë të ushtrojmë trysni ndaj Al-Kaidës, i cili është armiku ynë kryesor, dhe unë kam folur për këtë shumë gjatë fushatës.”

Ekspertët e terrorizmit thonë se pavarësisht nga sulmet amerikane dhe ato të NATO-s mbi këtë grup në Irak dhe Afganistan, Al-Kaida vazhdon të përpiqet të nxisë ndjenja anti-perëndimore në botën islame në mënyrë që të avancojë ngadalë objektivat e veta.

Synimi kryesor i këtij rrjeti është të vendosë qeveri islamike të bazuara në ligjin e Sheriatit që nga Spanja e deri në Indonezi.

Eksperti i terrorizmit dhe autori i librit “Mendja e Terroristit” Xherold Post thotë se strategjia e Al-Kaidës është shumë e sofistikuar dhe taktikat e saj të luftës janë psikologjike.

“Nuk mund të marrësh lloje lufte psikologjike dhe t’u kundërvihesh me bomba të preçizionit të lartë dhe raketa. Për çdo udhëheqës terrorist, dhe për çdo autor terrorist bombash, ka dhjetëra të tjerë që presin në radhë. Kemi të bëjmë me një makineri që prodhon terroristë.”

Për ta tejkaluar këtë problem dhe për ta mposhtur Al-Kaidën, zoti Post sugjeron katër hapa.

“E para është të ndalësh terroristët që të mos i bashkohen grupit. E dyta është të krijosh mosmarrëveshje brenda grupit. E treta, ta lehtësosh daljen nga grupi. Dhe e katërta është të reduktosh mbështetjen ndaj grupit dhe t’i mënjanosh udhëheqësit e tij.”

Disa ekspertë thonë se fushata terroriste e Al-Kaidës në Irak pati një ndikim të kundërt dhe strategjia e ndjekur nga forcat amerikane gjatë dy viteve të fundit pati sukses në reduktimin e mbështetjes për këtë grup terrorist. David Gartenshtajn Ros është ekspert mbi Al-Kaidën.

“Dy vitet e fundit i kanë kushtuar shumë Al-Kaidës, veçanërisht Lëvizja Zgjimi dhe ndikimi që ka pasur ajo në terren. Në një farë mënyre, kjo lëvizje përgënjeshtroi idenë se Al-Kaida ishte një lëvizje çlirimtare. Ato që kanë qenë më pranë pushtetit të tyre, kanë qenë më të gatshëm për ta kundërshtuar.”

Ekspertët thonë se mandati presidencial i zotit Obama e shqetëson Al-Kaidën.
Udhëheqësi i Al-Kaidës Ajman al-Zavahiri e ka dënuar presidentin e zgjedhur si të pafè. Disa besojnë se grupi terrorist shqetësohet se nëse zoti Obama ka sukses në ndryshimin e imazhit të Amerikës në botën myslimane, rrjeti do ta kishte shumë të vështirë të rekrutonte njerëz të rinj.

Prandaj, për zotin Obama, bashkëpunimi efikas me botën myslimane do të jetë shumë i rëndësishëm thotë Dejvid Gartenshtajn Ros.

“Një nga avantazhet që ka zoti Obama në krahasim me zotin Bush është fakti që ai di të komunikojë më mirë.”

Dhe sipas Xherold Postit, ai mund të gjejë një audiencë të hapur mes shumicës së myslimanëve.

“Çështja është se si t’i ndihmojmë myslimanët e moderuar ta marrin prapë fenë që ua kanë rrëmbyer.”

Ekspertët pajtohen se synimi nuk është të merresh me fanatikët por t’i kundërvihesh psikologjisë së grupit. Kjo thonë ato, do të ishte një përpjekje e ngadaltë, por e qëndrueshme. (ze)

XS
SM
MD
LG