Lidhje

Inaugurimet presidenciale në këndvështrimin e dy historianëve

  • Xhim Malone

Barak Obama do të bëjë inaugurimin si Presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara më 20 janar, duke vazhduar traditën e transferimit paqësor nga një udhëheqës tek një tjetër, që filloi me inaugurimin e parë të Xhorxh Washingtonit, më 1789.

Inaugurimet presidenciale të kohëve moderne janë ceremoni tepër të përpunuara, kur mijëra njerëz mblidhen përpara ndërtesës së Kapitolit, ku Presidenti bën betimin dhe më pas, zhvillohen parada dhe ballot e inaugurimit.

Por kjo ceremoni ka filluar mjaft thjesht, kur Presidenti i Parë i vendit, Xhorxh Washingtoni, bëri betimin në një ballkon të ndërtesës zyrtare në qytetin e Nju Jorkut, në vitin 1789. Në atë kohë, Nju Jorku ishte kryeqyteti i parë i Shteteve të Bashkuara.

Inaugurimi i Presidentit kërkohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara dhe tradicionalisht, betimi bëhet nën drejtimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Presidenti betohet se do të kryejë me besnikëri detyrën e tij dhe se do të mbrojë Kushtetutën amerikane.

Inaugurimet presidenciale kanë qenë simbole të fuqishme të demokracisë amerikane.

Mervin Kranz është ekspert për inaugurimet dhe ka punuar në Bibliotekën e Kongresit.

"Megjithëse shumica e presidentëve kanë bërë betimin duke ju referuar Zotit të Plotfuqishëm, megjithatë, ceremonia e betimit është tërësisht civile dhe ajo zhvillohet çdo katër vjet, qoftë kohë paqeje, apo lufte,"- thotë ai.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e ceremonisë së inaugurimit është fjalimi i Presidentit të ri, ku ai flet për objektivat gjatë mandatit të tij.

Stephen Hess është studjues në Institutin Brookings në Washington:

"Abraham Linkolni, në fjalimin e parë, në prag të Luftës Civile u përpoq ta mbante vendin të bashkuar dhe po ashtu ai ju referua paqes, në fjalimin e tij të dytë, kur lufta po përfundonte. Franklin Roosevelt mbahet mend për fjalimin e tij në periudhën e Depresionit të Madh në vitin 1933. Një fjalim vërtet i bukur retorik, është ai Xhon Kenedit në vitin 1961."

Ceremonia e inaugurimit mbetet e rëndësishme, si një lloj festimi i demokracisë amerikane dhe transferimit paqësor të pushtetit. Eksperti Marvin Kranz thotë se prania e Presidentit që largohet dhe atij që ven në post pranë njëri tjetrit, ndihmon për unifikimin e vendit pas një fushate politike përçarëse.

Si presidenti i parë afrikano-amerikan, Barak Obama sheh një lidhje të veçantë me Presidenti e 16-të amerikan, Abraham Linkoln, një hero për shumë afrikano-amerikanë, ngaqë ai udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile.

Zoti Obama do ta bëjë betimin me dorën mbi Biblën e Linkolnit, me të cilën ai bëri betimin në vitin 1861. //lk





XS
SM
MD
LG