Lidhje

Presidenti Bush mban fjalimin e lamtumirës drejtuar vendit

  • Paola Ufson
  • Shtëpia Bardhë

Presidenti Bush mbajti mbrëmë fjalimin e tij të lamtumirës, 5 ditë para se t’i lerë vendin, presidentit të zgjedhur Barak Obama. Në fjalimin që mbajti në Shtëpinë e Bardhë, zoti Bush i cilësoi 8 vitet e para të shekullit të ri “një periudhë me pasoja”, por shtoi se largohet nga posti me ndjenjën e falënderimit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Paola Wolfson, zoti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij si një rast për të reflektuar për të shkuarën dhe për të parë drejt së ardhmes.

Kjo ka qenë një javë me disa veprime të fundit për presidentin Xhorxh Bush: konferenca e fundit për shtyp, takimi i fundit i kabinetit dhe fjalimi i fundit drejtuar vendit.

"Sonte, me një ndjenjë falënderimi, unë kërkova që për herë të fundit, të ndaj me ju disa mendime për udhëtimin tonë të përbashkët dhe të ardhmen e vendit tonë."

Zoti Bush kujtoi fjalimin e tij të parë nga Shtëpia e Bardhë drejtuar vendit, në atë kohë me tronditje te thellë, të mbushur me dëshpërim dhe zemërim pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

"Me kalimin e viteve, shumë amerikanë arritën t’i kthehen jetës normale, asaj të para 11 shtatorit të 2001-it. Por unë nuk arrita kurrë ta bëja këtë",- tha ai.

Edhe një herë, ashtu sikurse ka bërë shpesh gjatë këtyre ditëve të tij në fundit në post, Presidenti i mbrojti qëndrimet e tij dhe fjalimi tij përshkohej nga ndjenja e nostalgjisë.

"Ka disa gjëra, të cilat ndoshta do t’i kisha bërë ndryshe po të më jepej rasti. Megjithatë, unë kurdoherë kam vepruar, duke patur në mendje atë që ishte në interesin më të mirë të vendit."

Kur na ndajnë vetëm 5 ditë nga Dita e Inaugurimit, zoti Bush foli për transferimin paqësor të pushtetit që do të ndodhë kur Barak Obama të bëjë betimin, duke u bërë Presidenti i parë afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

"...Në shkallët e Kapitolit, do të qëndrojë një burrë historia jetësore e të cilit pasqyron premtimin e kësaj toke. Ky është një moment shprese dhe krenarie për vendin tonë",- tha Presidenti.

Fjalimi i mbrëmshëm është paraqitja e fundit në publik e Presidentit deri të martën e ardhshme, kur ai ta mirëpresë Barak Obamën në Shtëpinë e Bardhë dhe të dy udhëheqësit të shkojnë së bashku në ndërtesën e Kapitolit, për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të 44 të Shteteve të Bashkuara.//lk



XS
SM
MD
LG