Lidhje

Roli i Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara

  • Susan Koster

Më 20 janar, kur bashkëshorti i saj të bëhet presidenti i 44-rt i Shteteve të Bashkuara, edhe Mishell Obama do të ketë një titull të ri, Zonja e Parë. Megjithëse Zonja e Parë as nuk zgjidhet e as nuk emërohet, ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm në administratën e presidentit.

Mishell Obama do të jetë Zonja e Parë e Amerikës për 4 vjetët e ardhshëm. Ajo studjoi jurisprudencë në Universitetin Harvard. Por ajo thotë se dy vajzat e saj, Malia and Sasha, do të jenë përparësia e saj kryesore. Ajo është gjithashtu e interesuar të ndihmojë familjet e forcave të armatosura.

“Ata kthehen në shtëpi, në një jetë ndoshta të rehatshme, kalojnë nëpër një periudhë kritike të ripërshtatjes dhe sapo gjërat fillojnë të normalizohen, atyre u kërkohet të dislokohen diku gjetkë”.

Martha Uashington, gruaja e presidentit të parë amerikan ishte e interesuar të ndihmonte familjet ushtarake. Por ndërsa kohërat kanë ndryshuar, po ashtu kanë ndryshuar edhe Zonjat e Para.

Lisa Kethlin Gredi është kuratore e koleksionit të Zonjave të Para në Muzeumin Kombëtar të Historisë Amerikane.

“Fillimisht Zonjat e Para përqendroheshin në rolin e mikpritses. Tani Zonjat e Para i dedikohen një kauze dhe zakonisht kjo është një kauzë personale për to”.

Zonja e Parë ende është mikpritsja, por tani roli krijohet nga vetë gruaja që e mban këtë titull.

Xheklin Kenedi, në fillim të viteve 60-të, riktheu mobiljet historike në Shtëpinë e Bardhë.

“Më erdhi shumë keq që nuk gjetëm thuajse asgjë nga e kaluara në këtë shtëpi”.
Ledi Bërd Xhonson u përpoq të zbukuronte vendin dhe luajti rol aktiv në një program për zhvillimin e fëmijëve të vegjël.

Beti Ford ishte mbështetëse e amendamentit për të drejta të barabarta dhe si e mbijetuar nga kanceri, ishte edhe një zë për vetëdijen rreth kancerit të gjirit.

“Gratë nuk hezitojnë më të flasin rreth mastektomisë. Ato flasin dhe mendoj se si rezultat është bërë shumë përparim, madje e ndjej se kam shpëtuar shumë jetë njerzish”.

Nanci Regan bëri fushatë kundër drogës. Barbara Bush mbrojti arsimimin, po ashtu edhe Laura Bush. Zonja e Parë e Amerikës është bërë gjithashtu një zë për të drejtat e grave në vende të tjera.

“Kam takuar mijëra gra nga shumë vende dhe kam parë se gratë kudo kanë ëndra të njejta”.

Zonjat e Para kanë shërbyer për një kohë të gjatë si ambasadore jozyrtare. Elenor Rusevelt ishte e para. Ajo udhëtoi në gjithë Shtetet e Bashkuara. Allida Bllek është drejtoreshë e projektit Letrat e Elenor Ruseveltit në Universitetin George Uashington.

“Ajo mendonte se roli i saj ishte që të kishte kontakte të drejtëpërdrejta me amerikanët dhe të mësonte prej tyre se si vijat politike mund të përmirësonin jetën e tyre”.

Hillari Klinton, si Zonjë e Parë, u angazhua në politikë. Bill Klinton e emëroi atë në krye të një komisioni për reformën në kujdesin shëndetsor, projekt ky që nxiti një kundërshtim të madh nga kompanitë e sigurimeve shëndetsore.

Kur Senatorja Klinton filloi fushatën e saj për Shtëpinë e Bardhë, u ngrit pyetja se çdo të bëjë xhentëllmeni i parë nëse në se një grua zgjidhet presidente. Historiani Karl Sferaza Anthoni ka shkruar libra për Zonjat e Para.

“Në se shikojmë aktivitetet e bamirësisë, si fushata për vetëdijen e SIDA-s, përpjekjet e ndihmave globale pas cunamit të tmerrshën në Indonezi, mendoj se Bill Klinton, si ish president, po luante atë rol që mund të luajë një xhentëllmen i parë”.

Pavarësisht nga gjinia, bashkëshortët e presidentëve pritet të jenë më shumë se sa kaq.

“Zonja e Parë apo xhentëllmeni i parë duhet të mbështesë moralisht presidentin, ashtu siç bëjnë zakonisht të gjithë bashkëshortët, por në të njëjtën kohë ata duhet të jenë të zgjuar, të vendosur, të vënë mbi të gjitha interesat e vendit, të lënë mënjanë egon e tyre dhe të jenë gati të punojnë shumë”.

Pa dyshim që Mishell Obama do të zbulojë në javët dhe muajt e ardhshëm se si ajo mund të plotësojë nevojat e presidentit dhe të vendit si Zonjë e Parë. (ze)

XS
SM
MD
LG