Lidhje

Hamasi nuk do t’i pranojë kushtet e Izraelit për armëpushim


Hamasi thotë se nuk do t’i pranojë kushtet e Izraelit për armëpushim në Rripin e Gazës.

Në një takim të posaçëm të Lidhjes Arabe sot në Katar, udhëheqësi i Hamasit në mërgim, Kaled Meshal u tha udhëheqësve arabë se Izraeli e shkaktoi konfliktin. Ai e akuzoi shtetin hebraik se kishte hapur luftë kundër të gjithë palestinezëve, përfshirë gratë dhe fëmijët.

Megjithëse nuk është anëtar i Lidhjes, Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad mori pjesë, duke shprehur solidaritetin me Hamasin. Në një deklaratë përfundimtare të takimit, kërkohej tërheqja e Izraelit nga Gaza dhe rihapja e kufijve për të lejuar futjen e ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve. Po ashtu bëhej thirrje për ndjekjen penale të atyre që ishin cilësuar krime lufte në Gazë.

Takimi u zhvillua, pavarësisht nga kundërshtimet e Autoritetit palestinez, Egjiptit dhe Arabisë Saudite.

Sot në mëngjes, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon kishte thënë se një marrëveshje për armëpushim ishte shumë pranë.

Pasi u takua me udhëheqësit e Autoritetit Palestinez në qytetin e Ramallahut të Bregut Perëndimor, zoti Ban tha gjithashtu se ishte koha që Izraeli të merrte në konsideratë një armëpushim të njëanshëm.

Goditjet ajrore izraelte vazhduan sot në Gaza. Hamasi ka vazhduar të godasë me raketa në Izrael gjatë gjithë ofensivës izraelite. (ze)

XS
SM
MD
LG