Lidhje

Fillon fundjava e festimeve të inaugurimit të Barak Obamës


Presidenti i zgjedhur Barak Obama fillon sot katër ditë festimesh me rastin e inaugurimit të tij. Fundjava fillon me një udhëtim me tren drejt Washingtonit, duke përshkruar të njëjtën rrugë nga kaloi heroi politik i zotit Obama, Abraham Linkoln, ditën e inaugurimit të tij.

Faza e fundit e udhëtimit të gjatë të zotit Obama, për t’u bërë Presidenti i parë afrikano-amerikan, fillon sot, në Filadelfia të Pensilvanisë. Zëdhënësja e Komitetit të Inaugurimit Presidencial, Natali Ueth, thotë se priten turma të mëdha njerëzish që do të vijnë për të përshëndetur zotin Obama dhe nënpresidentin e zgjedhur Xho Bajden në Filadelfia, si dhe në tre ndalesa të tjera.

"Natyrisht, që udhëtimi fillon në Filadelfia, që mund të thuhet se është vendolindja e kombit tonë, ndalesa tjetër është Wilmingtoni, vendlindja e Xho Bajdenit, nënpresidenti i ardhshëm amerikan dhe para se të mbërrijë në Washington, do të ketë edhe një ndalesë të fundit në Baltimorë."

Zonja Uajth thotë se treni i Presidentit të zgjedhur do të ndjekë të njëjtin itinerar që Abraham Linkolni e ndoqi në vitin 1861, kur ai udhëtoi në kushte sekrete, për të shmangur ndonjë përpjekje për vrasjen e tij në ditët e para të Luftës Civile në SHBA. Për Obamën është kuptimplotë lidhja me Linkolnin, jo sepse të dy presidentët erdhën në Washington nga shteti i Illionit, por sepse Linkolni nënshkroi urdhërin që i jepte fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se ishte e rëndësishme që Presidenti i zgjedhur ta fillonte fundjavën e festimeve të inauguirmit me diçka që ka të bëjë me Linkolnin. Veçanërisht ky udhëtim, shënon fazën e fundit të një udhe që filloi për të pikërisht në shkallët e ndërtesës së vjetër të Kapitolit të Illinoit.

Një turmë e madhe njerëzish pritet po ashtu të mblidhen dielën, për të marrë pjesë në një koncert në natyrë, në mes të të ftohtit, para Memorialit të Linkolnit. Është në plan që Presidenti i zgjedhur të flasë atje, para ndoshta rreth një milionë njerëzve. Atje do të interpretojnë edhe këngëtarët Bono, Bjonce, Stivi Wonder dhe Bruce Springsteen.

Në memorialin e Linkolnit mbajti fjalimin e famshëm “I have a dream”, udhëheqësi i të drejtave civile Martin Luther King, ditëlindja e të cilit pëkujtohet pikërisht të hënën, që është ditë feste kombëtare.

Të martën, në Parkun Kombëtar parashikohet të mblidhen deri në dy milionë vetë për të parë ceremoninë e betimit të zotit Obama dhe më pas, paradën që zhvillohet me këtë rast.

Në Washington janë shtuar së tepërmi masat e sigurisë. Shumë ura dhe rrugë të qytetit do të mbyllen ditën e martë dhe në ceremonitë e fundjavës do të ketë me mijëra policë.

Trupave të policisë do t’i shtohen rreth 18 mijë forca të ushtrisë, ndërsa 14 mijë të tjerë do të jenë në gjendje gadishmërie, në rast urgjence.

Analisti për sigurinë kombëtare David Heyman, thotë se pavarësisht nga numri i jashtëzakonshëm i turmave entuziaste, ai beson se zoti Obama, gruaja dhe vajzat e tij, do të jenë të mbrojtura mirë.

"Shërbimi sekret është mjaft i përgatitur për të siguruar mbrojtjen e Presidentit dhe familjes së tij."

Festimet do të përfundojnë të martën, me një numër ballosh zyrtare. Të mërkurën Presidenti i ri fillon nga puna, ku ai do të përballet me dy luftra, si dhe me ekonominë amerikane në krizë.//lk


XS
SM
MD
LG