Lidhje

Stiv Xhobs dhe e ardhmja e kompanisë Apple


Një javë pasi i siguroi investuesit mbi gjendjen e tij shëndetësore, drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple Stiv Xhobs ka thënë se shëndeti i tij është më keq nga ç’mendohej. Xhobs njoftoi se po merrte përkohësisht disa muaj pushim për arsye shëndetësore por nuk dha detaje nga se vuante. Aksionet e kompanisë Apple ranë 7% pas njoftimit. Analistët thonë se kjo rënie ishte e pritshme duke marrë parasysh sesa e lidhur është kompania me themeluesin e saj.

Një javë më parë drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple u përpoq t’jepte fund zërave mbi shëndetin e tij, duke thënë se kishte humbur peshë për arsye të një imbalance hormonale. Por kur ai njoftoi pak ditë më parë se do të largohej përkohësisht nga drejtimi i kompanisë, aksionet e kompanisë Apple pësuan humbje.

Profesori i universitetit të Karolinës së Jugut, Xherard Tellis thotë se kjo ndodh pasi për shumë investues zoti Stiv Xhobs është imazhi i kompanisë Apple.

"Njerëzit e identifikojnë suksesin e kësaj kompanie me Stiv Xhobs. Dhe kur ai njoftoi se do të merrte pushim, kjo krijoi shumë dyshime sesa në gjendje do të ishte kompania të ruante suskesin e katër-pesë vjetëve të fundit ndaj dhe pati rënie në vlerën e aksioneve”, thotë ai.

Shëndeti i 53 vjeçarit vrojtohet me kujdes nga kompanitë e Uoll Stritit që kur ai u kurua me sukses në vitin 2004 për kancer në pankreas. Por shqetësimet mbi shëndetin e tij rinisën muajin e kaluar kur zoti Xhobs tha se ai nuk do të merrte pjesë në një ngjarje të rëndësishme të kompanisë.

Redaktori i revistës Forbs, Metju Millër thotë se shëndeti i zotit Xhobs është jetik për të ardhmen e kompanisë Apple. Ai thotë se sëmundja e tij do të ndikojë negativisht në të ardhmen e kompanisë.

Zoti Xhobs bashkëkrijoi kompaninë Apple në vitin 1976. Ai u përjashtua nga bordi drejtues i kompanisë në vitin 1985, por iu rikthye drejtimit të saj në vitin 1997.

Që prej asaj kohe ai është përfshirë në të gjithë aspektet e punës në këtë kompani dhe mban meritë për ringjalljen e kompanisë së prodhimit të kompjuterave dikur me probleme.

"Ai e njeh mirë këtë punë; e di se çfarë do tregu dhe ky është talent i rrallë. Dhe ai pati vërtet sukses me risitë iPod, iTunes, iPhone, iPhone apps, si dhe iMac", thotë zoti Millër.

Por aftësia e zotit Xhobs për të zbuluar nevojat e tregut vlen edhe për blerësit. Analisti i kompanisë Piper Jaffray, zoti Xhin Mynster thotë se janë të shumtë ata që shqetësohen për të ardhmen e kompanisë pa të.

"Ai është drejtuesi i kompanisë, ikona e saj. Dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi e ardhmja e kompanisë vihet në pyetje pa drejtimin e këtij njeriu”.

Disa analistë thonë se shqetësimet mbi të ardhmen e kompanisë janë të tepruara. Përveç rastit të një largimi të njerëzve më të talentuar të kompanisë, ekipi projektues i saj zotohet se do të vazhdojë të krijojë risi derisa drejtori Xhobs të rikthehet në punë në muajin qershor.//ek
XS
SM
MD
LG