Lidhje

Obama: Ti rikthehemi këmbënguljes dhe idealizmit


Presidenti i zgjedhur Barak Obama dhe familja e tij mbërritën në Washington për inaugurimin e ditës së martë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klajn nga Washingtoni, udhëtimi i cili vazhdoi gjatë gjithë ditës së djeshme, me ndalesa në 4 qytete, ishte faza e fundit e rrugës dy vjeçare të zotit Obama për në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëtimi filloi mëngjesin e së shtunës në Filadelfia, të Pensilvanisë, qyteti që lidhet me themelimin e Shteteve të Bashkuara në vitin 1776, ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë. Para se të hipte në tren, zoti Obama i tha një grupi njerëzish që ishin mbledhur për ta përshëndetur, se shpreson që vendi do ta përqafojë përsëri shpirtin e themeluesve të tij.

"Unë besoj se e ardhmja është zgjedhja jonë; në se do të përpiqeshim të riidentifikonim vetveten dhe do t’i bashkonim demokratët me republikanët edhe me të pavarurit, nga veriu, në jug, nga lindja në perëndim, zezakë e të bardhë, hispanikë, aziatikë dhe amerikanë indigjenë, burra, gra, homoseksualë, njerëz pa probleme fizike dhe invalidë, atëhere jo vetëm që do të rikthenim shpresën dhe mundësitë atje ku ato kanë munguar, por ndoshta do të arrinim edha ta perfeksiononim unionit tonë gjatë këtij procesi",- tha zoti Obama.

Për zotin Obama, gruan e tij Michelle dhe dy vajzat e tyre, Malia dhe Sasha, udhëtimi me tren prej 220 kilometrash nga Filadelfia në Washington, ishte simbolik. Burri që do të bëhet Presidenti i parë afrikano-amerikan, përsëriti dje një pjesë të itinerarit që ndoqi heroi i tij politik, Abraham Linkolni para inaugurimit të tij, në vitin 1861. Ashtu sikurse zoti Obama, Linkolni, i cili deklaroi fundin e skllavërisë në Amerikë, e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Ilinoi, para se të zgjidhej President i Shteteve të Bashkuara.

Pas Filadelfias, treni me familjen Obama ndaloi në Wilmington të shtetit Delaware, prej nga është nënpresidenti Xho Bajden. Para se të hipte edhe ai në tren, Xho Bideni u tha rreth 8 mijë njerëzve që kishin ardhur në mes të të ftohtit të madh për t’i përshëndetur, se “pranvera e ngrohtë” dhe ditë më të mira do të vijnë.

"Ekonomia jonë është në krizë. Vendi ynë është në luftë. Nganjëherë, është e vështirë të besosh se do të shohim përsëri pranverën. Por ju siguroj, se me administratën e re, pranvera po afron,"- tha zoti Biden.

Në stacionin e trenit të Wilmingtonit, zoti Obama foli për prejardhjen nga shtresa punëtore e zotit Biden dhe u zotua se të dy ata do të përpiqen për punonjësit amerikanë.

"Ne do të përpiqemi për ju çdo ditë kur të jemi në Washington, sepse Xho dhe unë jemi të përkushtuar të udhëheqim një qeveri, e cila nuk u jep llogari vetëm njerëzve të kamur, por edhe ju: trenistëve, që nisin trenat tonë dhe punëtorëve që shtrojnë shinat; prindërve, që shqetësohen se si do t’i përballojnë shpenzimet e udhëtimit për në punë dhe fëmijëve që e dëgjojnë fishkëllimën e trenit dhe ëndërrojnë për një jetë më të mirë."

Zoti Obama e mbajti fjalimin e tij të fundit për ditën e djeshme në qendrën e qytetit të Baltimorës, në shtetin e Merilendit, para një turme entuziaste prej rreth 40 mijë vetësh.

Presidenti i zgjedhur i bëri përsëri thirrje amerikanëve, të shprehin të njëjtën këmbëngulje dhe idealizëm që kanë shprehur patriotët e parë të Amerikës:

"Ajo që kërkohet prej nesh, është deklarimi i një pavarësie të re, jo vetëm në kombin tonë, por edhe në jetën tonë private, në zemrat tona, një shkëputje prej ideologjisë dhe të menduarit për interesat e ngushta vetjake, një shkëputje nga paragjykimet, dhe egoizmi që të mos nxisim instiktet tona të vogla, por gjithshka ëngjëllore në qenien tonë."

Çifti Obama dhe Biden i dhanë fund udhëtimit të tyre me mbërritjen në Washington, ku ata i presin disa ditë të tjera festimesh me rastin e inaugurimit.

Sot pritet që në Memorialin e Linkolnit të mblidhen rreth 1 milionë njerëz, ku do të interpretojnë disa nga këngëtarët më të famshëm.

Të martën në mesditë, zoti Obama do të bëjë betimin si Presidenti i 44rt i Shteteve të Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG