Lidhje

Uashingtoni gati për inaugurimin e Presidentit të ri, Obama


Presidenti i zgjedhur Barak Obama arriti së bashku me Presidentin Bush në Kapitol ku së shpejti do të bëhet ceremonia e inaugurimit.

Ndërkohë, turma të mëdha njerëzish po vërshojnë në Parkun Kombëtar të Uashingtonit për të parë ceremoninë e inaugurimit të zotit Barak Obama, i cili do të jetë presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit.

Zoti Obama e filloi ditën e inaugurimit si shumë presidentë të tjerë, me një ceremoni lutjesh private në Kishën Episkopale të Shën Johanit shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, diçka që është bërë tashmë traditë. Ai dhe gruaja e tij Mishel si dhe nënpresidenti i zgjedhur Xho Bajden me gruan Xhill, shkuan pastaj në Shtëpinë e Bardhë ku u takuan me Presidentin Xhorxh Bush për një kafe.

Me gjithë temperaturat shumë të ulta, më tepër se 1 milion njerëz pritet të mblidhen në Parkun Kombëtar për të parë ceremoninë zyrtare të betimit, e cila do të fillojë para mesditës në shkallët e Kapitolit – ndërtesa e Kongresit amerikan –me një koncert ku marrin pjesë këngëtarja Areta Franklin, violinçelisti Yo-yo Ma dhe violinisti Itzak Perlman.

Zoti Bajden do të jetë i pari që do të bëjë betimin, në praninë e anëtarit të Gjykatës së Lartë Xhon Pol Stivens. Pastaj, kryetari i Gjykatës së Lartë Xhon Roberts do të bëjë betimin e zotit Obama si president. Kjo do të pasohet nga fjalimi i shumëpritur i inaugurimit që të mbajë zoti Obama.

Pas pjesmarrjes në ceremoninë e inaugurimit, Presidenti Bush dhe bashkëshortja e tij do të kthehen me avion në Teksas. Zoti Obama, nga ana e tij, do të jetë pastaj për drekë me personalitete të tjera në Kapitol, përpara se të marrë pjesë, me makinë e ndoshta më këmbë, në paradën e inaugurimit përgjatë bulevardit Pensilvania për të arritur në banesën e tij të re, Shtëpinë e Bardhë.

Miliona vizitorë kanë mbushur rrugët dhe hotelet e Uashingtonit. Ata kanë ardhur nga gjithë vendi dhe bota për të qenë dëshmitarë në këtë ngjarje historike.

Festimet do të vazhdojnë deri vonë natën kur Presidenti dhe Nënpresidenti i ri pritet të marrin pjesë në një numër ballosh me rastin e inaugurimit.

Në çdo ballo do të ketë këngëtarë të njohur, si Stivi Uonder, Feith Hill, Common e të tjerë.

Udhëheqësit e rinj pritet të marrin pjesë në një shërbim lutjesh të mërkurën në mëngjes në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit përpara se të fillojnë detyrën e re.

I vetmi që nuk do të jetë në ceremoninë e inaugurimit është Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts, i cili do të vazhdojë detyrën që kishte në administratën e Presidentit Bush.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se zoti Gejts do të qendrojë në një objekt të veçantë gjatë inaugurimit, objekt i cili nuk është bërë i njohur për publikun. Qëllimi është të garantohet vazhdimësia e qeverisjes në rast se ndodh diçka katastrofike kur presidenti që largohet dhe presidenti i ri do të jenë së bashku.

Presidenti Bush dhe Nënpresidenti Dik Çejni do të jenë të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit para se të shkojnë në banesat e tyre të reja, zoti Bush në Teksas dhe zoti Çejni në një periferi të Uashingtonit. Shtëpia e Bardhë njoftoi mbrëmë se zoti Çejni do të jetë në një karrike invalidi pasi ka tërhequr muskulin e shpinës gjatë përgatitjeve për të lëvizur në shtëpinë e re. //ii

XS
SM
MD
LG