Lidhje

Fillon punën forca e re e sigurisë në Kosovë


Sot ka filluar misionin e saj, Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërsa në mesnatë kanë pushuar se funksionuari Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Forca e re do të ketë 2 mijë e 500 pjesëtarë aktiv të armatosur lehtë dhe 800 trupa rezervë.

Themelimi i kësaj force është paraparë me planin gjithëpërfshirës të krye ngeociatorit Martti Ahtisaari në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Kjo forcë, do të stërvitet nga NATO-ja, oficerët e së cilës që nga sot kanë filluar rekrutimin e pjesëtarëve të saj, të cilët do të bartin uniforma, dhuratë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Misioni i saj është reagimi në rast të krizave në Kosovë por edhe jashtë saj, mbështetja e autoriteteve civile në rast të katastrofave natyrore dhe emergjencave te tjera. Kjo forcë nga shqiptarët e Kosovës shihet si bërthamë e ushtrisë së ardhshme të saj.

Themelimi i kësaj force ka nxitur zemërimin e Beogradit, zyrtarët të cilit e kanë cilësuar atë si "forcë paraushtarake dhe siç thuhet, rrezik për qëndrueshmërinë në rajon". Por, zyrtarët në Prishtinë thanë se kjo forcë do të jetë shumetnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj. Njëri nga zëvendës ministrat e kësaj force do të jetë nga radhët e komunitetit serb.

Krahas themelimit të kësaj force, autoritetet thonë se janë të angazhuara për sistemimin e atyre pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të cilët nuk do të jenë të përfshirë në Forcën e re të Sigurisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG