Lidhje

Intervistë me ish Kryeministrin e Shqipërisë, Ilir Meta


Zëri i Amerikës: Zoti Meta këto ditë ju keni qenë në Uashington, ku morët pjesë në ceremoninë e përurimit të Presidentit të ri të SHBA, Obama. Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi thënë se kjo është një datë historike, një ditë e shënuar për shumë arsye këtu në Shtetet e Bashkuara. Ju ishit pjestar në këtë datë dhe mbase ju duket pyetje klishe, por mund të na tregoni përshtypjet tuaja?

Ilir Meta: Përshtypjet e mia janë të jashtëzakonshme, jo sepse kështu duhet thënë, por mendoj se dhe për vetë amerikanët ka qenë një inagurim i rrallë, i pakrahasueshëm me shumë inagurime të tjera. Një ndryshim i madh ka ndodhur. Amerika ka treguar një tolerancë të jashtëzakonshme, ka dhënë mesazhe të fuqishme paqeje, tolerance për mbarë botën dhe kuptohet që kjo ndihet shumë pas një periudhe kur Shtetet e Bashkuara ndoqën një politikë të caktuar, e cila solli jo pak diskutime edhe nga aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara, sikurse janë dhe vetë vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian. Dhe padyshim pjesëmarrja e jashtëzakonshme, entuziasmi i jashtëzakonshëm dje pavarësisht nga një i ftohtë i tmerrshëm, të paktën për ne që jetojmë në Tiranë, tregon se ky popull ka shpresa të mëdha dhe se Presidenti i sapoinauguruar çdo ditë e më shumë ka bashkuar duke rritur shumë konsensusin dhe jo vetëm në sajë të oratorisë së tij, por do të thosha në sajë të politikës së tij, një politikë bashkuese brenda partisë së tij, pas fitores ndaj Hillari Klintonit, pra arritën të kompaktësohen. Por kjo politikë duket në raport edhe me republikanët me disa emërime të rëndësishme që tregojnë vazhdimësi.

Zëri i Amerikës: Ai po vjen në krye, në emër të ndryshimit, në emër të shpresës dhe përpara e presin shume sfida. Në këto momente Amerika sapo ka dalë nga zgjedhjet, sapo ka përuruar Presidentin e ri, është vështirë të mos bësh paralelizma me Shqipërinë. Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve sot. Në Shtetet e Bashkuara fushata u krye e ashpër deri diku, por në fund të fundit përfundoi një fushatë më shumë se e civilizuar, ku ata të dy që ishin kundërshtarë, sot Obama ka marrë zonjën Klinton në administratën e vet. Me presidentin Bush, shkëmbimi i pushtetit u bë mëse normal që është e vështirë ta bëjnë dy parti kundërshtare. Le të ndalemi te gjendja sot në Shqipëri. Ju jeni një nga partitë që e keni kundërshtuar më së shumti ligjin e ri të zgjedhjeve, formulën e re. Si do të ndikojë kjo formulë, ky ligj i ri për partinë tuaj? A jeni si më rehat me këtë ligj?

Ilir Meta: Nuk shtrohet çështja se si do të komportohet Lëvizja Socialiste për Integrim me Kodin e ri, por është shtruar prej kohësh një çështje shumë e rëndësishme, nëse ekziston vullneti politik në Shqipëri për të organizuar njëherë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ne kemi vënë re që ky vullnet ka munguar për arsye se vetë kodi u shty për gati dy vjet. Disa herë skaduan mandatet e komisioneve parlamentare dhe kjo ishte përgjegjësi e PD-së dhe e PS-së. Ne kemi vënë re se janë shkelur dhe standartet e OSBE-së, sidomos për administrimin e këtij procesi dhe njëkohësisht vëmë re që procesi i kartave të identitetit është një proces që sjell më shumë konfuzion, sesa shpresë që do të kemi elementë më të sigurtë në këto zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Argumentuar nga përgjigja, ju po shprehni dyshime për mundësinë ndaj zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të drejta në Shqipëri megjithë garancinë që ka dhënë Kryeministri shqiptar gjatë këtyre ditëve, megjithë sfidën që e pret Shqipërinë, për anëtarësimin në NATO. Ku bazoheni?

Ilir Meta: Të bazohesh te garancitë e kryeministrit Berisha, nuk është e mjaftueshme që unë dhe gjithë shqiptarët të jemi të qetë për arsye se ai ka qenë President në vitin ’96, ku ka ndodhur një ngjarje tëpër e rëndë me zgjedhjet e demokracinë në vendin tonë, apo aq më tepër që PS e PD kanë treguar se ende nuk kanë një vullnet të plotë dhe të pjekur politik për të garantuar shqiptarët të votojnë në mënyrë të lirë e të drejtë. Megjithatë unë besoj se shqiptarët kanë shumë më tepër përvojë dhe njëkohësisht unë kam premtuar, po kështu dhe forca jonë politike, që ne do të kërkojmë garanci shtesë për qytetarët shqiptarë që votat e tyre të mbrohet dhe për të paralizuar skema të mundëshme të manipulimit. Kjo është dhe një nga arsyet që unë jam në Amerikë,- përveç ftesës nga Komiteti Inagurues i Presidentit,- pra për të zhvilluar bisedime, të cilat kanë qenë në proces, me kompani të ndryshme. Bisedime me kompani të ndryshme amerikane, të njohura, përsa i takon, në radhë të parë, paralizimit të skemave manipuluese dhe garancive shtesë për një proces zgjedhor. Ne po bashkëpunojmë dhe shumë shpejt do të bëjmë publike gjithçka në mënyrë transparente. Çështja e zgjedhjeve do të jetë një çështje shumë e madhe dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë, që vota e shqiptarëve të jetë e shenjtë. Do të jetë një çështje shumë më e madhe sesa ka qenë deri tani.

Zëri i Amerikës: Ka pasur shumë komente lidhur me strategjinë dhe qëndrimin që do të mbajë partia juaj. Ju keni thënë se do të dilni më vete në zgjedhje. Pas zgjedhjeve, a jeni ju i hapur për koalicione, qoftë me PS, qoftë me PD, për çështjen e Qeverisë? A keni ndonjë preferencë apo jeni në fazën e eksplorimit?

Ilir Meta: Nuk është e nevojshme të eksplorojmë për atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve, sepse përpara nesh janë zgjedhjet dhe vetë sistemi që është zgjedhur, në fakt, nuk është se i favorizon shumë koalicionet. Përkundrazi. Edhe partitë që do të jenë bashkë në një koalicion, në një mënyrë do të garojnë me njëra-tjetrën, sepse një votë kanë qytetarët shqiptarë. Tani nuk kanë më dy si në kohën e Dushkut. Kështu që, nuk përbën ndonjë shqetësim të veçantë.

Zëri i Amerikës: Desha të them që në të ardhmen, pas zgjedhjeve nëse një prej partive kryesore merr shumicën, por jo aq të mjaftueshme për të qeverisur vendin, dhe do të ketë nevojë për një parti të dytë. Partia juaj është e përgatitur për këtë?

Ilir Meta: LSI sot përgatitet për të fituar zgjedhjet. Ne jemi forcë e tretë politike në Shqipëri dhe kjo nuk kontestohet nga askush dhe nuk synojmë për të dalë përsëri të tretët, pra që të mbetemi, pak a shumë, në vend. Kam dëgjuar që dhe dy forcat e tjera, synojnë dhe ato të fitojnë. Kështu që, është e tepërt të bëjmë analiza për atë që do të ndodhë, pa ndodhur ngjarja, pra zgjedhjet. Zgjedhjet do të përcaktojnë, jo vetëm peshën dhe përgjegjësinë që do të marrë çdo forcë politike dhe në këtë drejtim edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe hapësirat dhe mundësitë që do të mbeten më pas për të ndërtuar koalicione në rast se ato do të jenë të nevojshme. Sepse, në rast se dikush, qoftë dhe ne, apo të tjerët, fitojnë të vetëm, atëherë padyshim që të tjerëve u mbetet të ngelen në opozitë. Për ne e rëndësishme është procesi. Është një proces tepër jetik për Shqipërinë, sepse kemi humbur shumë kohë në të kaluarën.

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes për një zhvillim të fundit këto ditë në Shqipëri, që është komentuar si një lloj goditje që i ka bërë partia juaj kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama që është dhe kryetar i PS. E kam fjalën për p/buxhetin e bashkisë së Tiranës, të cilin ju e keni kundërshtuar. A ka këtu edhe motive politike, të cilat lidhen me zgjedhjet?

Ilir Meta: Nuk ka këtu asnjë motiv politik që lidhet me zgjedhjet, përveç motivit që kryetari i Bashkisë ka bojkotuar Këshillin e Bashkisë, që është institucion, i cili me ligj diskuton dhe miraton buxhetin e bashkisë. Kryetari i Bashkisë as nuk ka denjuar të dëgjojë mendimet e këshilltarëve, as nuk ka denjuar t’u japë atyre përgjigje, edhe pse grupi i këshilltarëve të LSI ka patur shumë propozime konkrete, të bëra gati një muaj përpara se buxheti të mos aprovohej për herën e dytë. Dhe, në këtë klimë, më thoni ju mua se si mund t’i kërkojë llogari Këshillit një Kryetar Bashkie, i cili injoron këtë institucion të zgjedhur nga të gjithë qytetarët e Tiranës, pikërisht për të mbrojtur destinacionin e taksave që ata paguajnë dhe që janë rritur shumë në Tiranë. Një qytetar sot në Tiranë, paguan tre herë taksë pastrimi, e shumë e shumë elementë të tjerë. Së dyti, ju përmendët faktin që pse e miratuam vjet dhe pse nuk miratohet sivjet? Një nga arsyet është se, në mbështetjen që i është dhënë vjet këtij projektbuxheti janë të njëjtat investime që parashikohen edhe sivjet, dhe nga Këshilli është kërkuar një sqarim se çfarë është realizuar dhe çfarë nuk është realizuar, në mënyrë që Këshilli të jetë i sigurt për faktin që nuk do jepen para për të bërë dy herë të njëjtën rrugë apo dy herë të njëjtën shkollë. //iç//

XS
SM
MD
LG