Lidhje

Hillari Klinton konfirmohet nga Senati si sekretare shteti


Hillari Rodam Klinton bëri betimin si Sekretare e Shtetit. Ajo mbërriti sot në ditën e parë të punës në Departamentin e Shtetit para punonjësve që brohorisnin. Zonja Klinton tha se administrata e Presidentit Barak Obama shënon një epokë të re për vendin. Ajo vlerësoi Departamentin e Shtetit për punën e tij në Uashington dhe në gjithë botën. Ajo tha se puna e departamentit do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë instrumenta dhe zgjidhje të shekullit të 21-të për të zgjidhur problemet dhe për të shfrytëzuar mundësitë. Dje, Senati konfirmoi zonjën Klinton në krye të diplomacisë amerikane.

Hillari Rodam Klinton siguroi mbështetjen e shumicës në senatin amerikan dje, me 94 vota pro dhe dy kundër.

Senatori Xhon Keri vlerësoi zonjën Klinton si një Sekretare Shteti me aftësi të veçanta.

"Besoj se senatorja Klinton është në një pozitë që të realizojë një shndërrim historik në politikën e jashtme amerikane, ku ne i ofrojmë botës vlerat tona më të mira, mendimet tona më të mira, si edhe shpresat dhe qëllimet tona më të mira".

Por të martën, konfirmimi i zonjës Klinton u bllokua nga republikani Xhon Kornin i Teksasit. Ai tha se ende ka paqartësi lidhur me dhurimet e huaja për fondacionin Klinton të bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Klinton.

Por zoti Kornin tha se shqetësimet e tij nuk ishin të tilla sa të vinin në diskutim votën e tij për zonjën Klinton. Ai votoi në favor të saj.

Hillari Klinton ka thënë se bashkëshorti i saj do të nxjerrë raporte vjetore për dhurimet e huaja për fondacionin.

Në seancat e konfirmimit të javës së kaluar, ajo tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ndryshojnë qëndrimin ndaj politikës së jashtme.

"Ne duhet të përdorim të gjitha instrumentat që kemi në dorë, diplomatike, ekonomike, politike, ushtarake, ligjore dhe kulturore".

Zonja Klinton do të përballet me një sërë çështje diplomatike kyçe, përfshirë përpjekjet për të eliminuar programet bërthamore në Iran dhe Korenë e Veriut.

Edhe përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme janë një përparësi për administratën e Presidentin Obama.

Zonja Klinton pritet të fillojë zyrtarisht detyrën si Sekretare Shteti me një ceremoni mirëseardhjeje në Departamentin e Shtetit sot në mëngjes.

//rd//

XS
SM
MD
LG