Lidhje

Obama emëron dy diplomatë të njohur si të dërguar të posaçëm

  • David Gollast
  • Departamenti Shtetit

Dje, në ditën e tij të dytë në detyrën e re, Presidenti Obama vizitoi Departamentin e Shtetit, ku emëroi dy veteranë të diplomacisë amerikane si të dërguar të posaçëm për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme. Ish-udhëheqësi i shumicës në Senat, Xhorxh Miçell do të jetë i dërguari i posaçëm i administratës amerikane për Lindjen e Mesme, ndërsa ish Ndihmës sekretari i Shtetit Riçard Hollbruk do të jetë i dërguari i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin:

Emërimet, që u bënë të njohura në një mbledhje të zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit, tregojnë për një ndryshim të madh mes ekipit të zotit Obama nga ai i administratës së Presidentit Bush, që e pati shmangur konceptin e të dërguarve të posaçëm, duke ja lënë detyrën e diplomacisë kryesisht Sekretares së Shtetit dhe ambasadorëve amerikanë.

Ky veprim po ashtu thekson urgjencën që ndjen administrata e re në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do të kërkonte ekzistencën e dy shteteve atë Izraelit dhe Palestinez, sidomos pas konfliktit të javëve të fundit në Gazë. Po ashtu ai tregon se administrata e re është e përkushtuar ndaj luftës së komplikuar në Afgansitan të nxitur nga forcat ekstremiste në kufirin me Pakistanin.

Presidenti Obama, me sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në krah, tha se administrata e tij do të kërkojë në mënyrë aktive dhe agresive, një marrëveshje afatgjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ai tha se Xhorxh Miçell, një figurë e rëndësishme në arritjen e marrëveshjes në konfliktin e Irlandës së Veriut, do të shkojë së shpejti në Lindjen e Mesme, në përpjekje për vendosjen atje të një paqeje të qëndrueshme.

Ai ritheksoi përkushtimin amerikan për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për t’u vetëmbrojtur përballë sulmeve me raketë të Hamasit, për të cilat ai tha se nuk duhet të tolerohen, si nga izraelitët, edhe nga palestinezët.

Por Presidenti Obama po ashtu theksoi shqetësimin e SHBA-së lidhur me kushtet humanitare në Rripin e Gazës dhe përkushtimin e tij për të ndihmuar në rindërtimin e territorit të shkatërruar.

"Ashtu sikurse terrori i shkaktuar nga sulmet me raketë me objektiv izraelitët është i patolerueshëm, po aq është e patolerueshme një e ardhme pa shpresë për palestinezët. Gjatë ditëve të fundit jam shqetësuar pa masë nga vrasja e palestinezëve dhe izraelitëve, si dhe nga vuajtjet e mëdha dhe nevojat humanitare në Gazë. Zemrat tona janë pranë civilëve palestinezë që kanë nevojë të menjëhershme për ushqime, ujë të pijshëm dhe kujdesin mjekësor bazë," - tha zoti Obama.

Presidenti tha se i ka kërkuar diplomatit Riçard Hollbruk, i cili ndihmoi në arritjen eMarrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1990, mes palëve ndërluftuese në Bosnje-Hercegovinë, për të zbatuar një qëndrim strategjik dhe të qëndrueshëm ndaj problemeve në Pakistan dhe Afganistan.

Zoti Obama e quajti atë “fronti qendror” në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

"Në Afganistan, ashtu sikurse në Lindjen e Mesme, ne duhet të kuptojmë se nuk mund t’i trajtojmë problemet tona të izoluara. Nuk ka asnjë problem në Afganistan, që të mos ketë në themel Al Kaidën, ose talebanët përgjatë kufirit. Dhe nuk do të mund të ketë paqe afatgjatë, në atë rajon, pa zgjeruar sferat e mundësive për popullin e Afganistanit dhe të Pakistanit," - tha zoti Obama.

Zoti Hollbruk tha se ka në plan për një udhëtim së shpejti në rajon, për vlerësimin e gjendjes ushtarake dhe politike atje, ku ai tha se forcat amerikane janë të angazhuara kundër një armiku të pamëshirshëm dhe pa skrupuj në Afganistan, talebanët, ndërsa përballen me një armik edhe më të madh, terroristët e Al Kaidës, përgjatë kufirit me Pakistanin.

Ish Ndihmës sekretari i Shtetit shtoi se akush nuk mund të thotë se lufta në Afgansitan po shkon mirë, por ai shtoi se është i bindur se burimet e dedikuara për atje mund të përdoren më mirë.

"Në se burimet mobilizohen dhe njëkohësisht koordinohen, ne do të mund ta katërfishojmë, pesëfishojmë apo dhjetëfishojmë efektivitetin e përpjekjeve tona atje," - tha zoti Hollbruk.

Ish-senatori Mitçell tha se ai nuk i nënvlerëson vështirësitë për gjetjen e zgjidhjeve për konfliktin e Lindjes së Mesme. Por ai theksoi se konflikti i Irlandës së Veriut kishte një histori 800 vjeçare, por megjithatë, ai ishte zgjidhur.

"Nga eksperienca ime, kam të formuar besimin se nuk ka konflikt i cili nuk mund të zgjidhet. Konfliket krijohen, zhvillohen dhe ushqehen nga njerëzit. Dhe ato mund të zgjidhen po nga njerëzit," -tha zoti Miçell.

Analistë për Lindjen e Mesme thonë se zoti Mitçell, i cili është me origjinë libaneze, është e pritme të ndjekë një politikë më të paanshme dhe të drejtë ndaj konfliktit izraelito-palestinez, se sa administrata e Presidentit Bush, që mbështeti me forcë Izraelin. Zoti Mitçell ka qenë autor i një raporti tepër të vlerësuar për Lindjen e Mesme në vitin 2001, i cili bënte thirrje për ndalimin e ndërtimit të kolonive nga Izraeli dhe për shkatërrimin e terrorizmit nga palestinezët.//lk

XS
SM
MD
LG