Lidhje

Dennis Bler u përgjigjet pyetjeve të senatorëve për konfirmimin


Në të njëjtën ditë kur Presidenti Barak Obama nënshkroi urdhrin për të mbyllur burgun në gjirin e Guantanamos, personi që ai ka zgjedhur për postin e shefit të zbulimit doli para një komisioni të senatit në seancën për konfirmimin e tij. Denis Bler u përball me disa pyetje të vështira për torturën.

Simulimi i mbytjes, që këtu shfaqet në një video dhe teknika të tjera të ashpra kishte hapur debate të mëdha për administratën e Presidentit Bush.

Presidenti Obama i ndaloi këto teknika në ditën e dytë të detyrës.

Po boja nuk ishte tharë ende në urdhrin e Presidentit kur personi që ai ka zgjedhur për postin e shefit të zbulimit u pyet për simulimin e mbytjes.

Senatori Karl Levin e bëri pyetjen gjatë seancës për konfirmimin e Denis Blerit.

“Sipas mendimit tuaj është torturë simulimi i mbytjes?”

“Do të thoja që sa të jem unë në detyrë nuk do të përdoret kjo teknikë, nuk do të ketë tortura”.

“Më lejoni t’ju pyes përsëri, nga sa dini ju për këtë teknikë, a është ajo torturë?”.

“Senator, do t’ju duhet ta nxirrni përfundimin nga përgjigjia ime që nuk do të ketë simulim mbytjeje përsa kohë të jem unë në detyrë”.

Javën e kaluar, personi që zoti Obama ka zgjedhur për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Erik Holder iu përgjigj kësaj pyetjeje ndryshe.

“Zoti Kryetar, jam dakord me ju. Simulimi i mbytjes është torturë", tha zoti Bler.

Zoti Bler tha se Manuali i Ushtrisë do të jetë ai që do të merret për bazë për marrjen në pyetje të të dyshuarve. Manuali i ndalon nëntë teknika përfshirë simulimin e mbytjes dhe aty radhiten 19 teknika të lejuara.

“Ne duam ta rishikojmë manualin e ushtrisë dhe ta bëjmë të tillë që të përdoret si për ushtrinë, edhe për marrjen në pyetje për qëllime zbulimi”.

Zoti Bler ka qenë pjesë e kundërterrorizmit në Azinë Juglindore. Ai ishte përfshirë në përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund masakrimit të mijëra vetëve në Timorin Lindor, që atëherë ishte provincë e Indonezisë.

Nëse konfirmohet, zoti Bler do të mbikqyrë 16 agjenci zbulimi që punësojnë 100 mijë vetë me një buxhet prej 50 miliardë dollarësh.//rd//

XS
SM
MD
LG