Lidhje

Obama nënshkruan një ligj që mbështet grupet pro abortit


Presidenti amerikan Barak Obama ka nënshkurar një ligj, i cili i jep fund ndalimit të fondeve për grupe ndërkombëtare, që sigurojnë shërbime që kanë të bëjnë me abortin.

Presidenti Obama e nënshkroi dje ligjin, ditën e tij të tretë në detyrën e re, duke anuluar kështu kufizimet ndaj këtyre organizatave ndërkombëtare.

Ligji i mëparshëm i ndalonte Shtetet e Bashkuara të financonin grupe për planifikimin familjar që veprojnë jashtë vendit, të cilat përfshihen me shërbime që kanë të bëjnë me abortin, duke përfshirë informacione për abortin, seanca këshillimi për gratë, apo rekomandime mjekësore.

Përmes një deklarate dje, zoti Obama tha se ndihma për planifikimin familjar jashtë vendit është shfrytëzuar për motive politike për një kohë të gjatë. Ai tha se nuk ka dëshirë të vazhdojë një debat, të cilin ai e cilësoi “të pafrytshëm”.

Ligji në fjalë, që njihet ndryshe edhe me termin “urdhëri i cenzurës”, u paraqit fillimisht nga ish-Presidenti Ronald Regan në vitin 1984. Administratat demokrate e kanë hequr rregullisht atë, me ardhjen në pushtet, ndërsa administratat republikane historikisht e kanë rikthyer atë në fuqi.

Zoti Obama kishte premtuar gjatë fushatës së tij elektorale se në se do të vinte në pushtet, do ta shfuqizonte ligjin në fjalë.//lk


XS
SM
MD
LG