Lidhje

Barak Obama: Në se nuk veprojmë menjëherë dhe me guxim, situata e rëndë ekonomike mund të përkeqësohet


Presidenti Barak Obama u takua dje në Shtëpinë e Bardhë me ekipin e tij ekonomik, për të diskutuar mbi planet për stimulimin e ekonomisë amerikane në krizë dhe buxhetin federal. Zoti Obama i siguroi amerikanët se plani ekonomik i administratës së tij do të zbatohet me përgjegjësi të plotë.

Gjatë fjalimit të tij të parë të përjavshëm në radio si president, zoti Obama thotë se e kupton përse disa njerëz nuk kanë shumë besim mbi masën dhe shkallën e paketës 825 milardë dollarëshe. Ai e siguroi publikun amerikan se plani i stimujve masivë nuk do t’i zgjidhë problemet ekonomike vetëm duke hedhur para në erë, por edhe duke investuar në programe të efektshme për ringjalljen ekonomike të vendit.

"Ne nuk do hedhim thjesht para në erë, por do të investojmë në ato fusha ku mund të ketë rezultat. Në vend që veprimet të bëhen fshehtazi nga politikanët, vendimet lidhur me fushat ku do të investojmë do të bëhen publike dhe ato do të informohen nga ekspertë të pavarur, kurdoherë që të jetë e mundshme," - tha Presidenti.

Zoti Obama u takua dje me këshilltarët e tij ekonomikë, për të diskutuar mbi buxhetin federal. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, ai paralajmëroi se nëse nuk veprohet menjëherë, papunësia mund të arrijë përqindje të lartë, me dy shifra, dhe eknomia mund të shënojë rënie të mëtejshme, me vlerën e një trilionë dollarëve.

"Pra, në se nuk veprojmë menjëherë dhe me guxim, situata tashmë e rëndë mund të përkeqësohet më tej. Prandaj unë kam propozuar Planin e Rimëkëmbjes dhe Riinvestimit në Amerikë, për të filluar menjëherë nga krijimi i vendeve të reja të punës, ashtu sikurse edhe nga rritja ekonomike afatgjatë. Kam kënaqësinë t’ju them se të dyja partitë në Kongres po e vazhdojnë punën për përmirësimin e paketës financiare, të cilën unë shpresoj ta firmos si ligj brenda një muaji", - tha zoti Obama.

Presidenti u takua të premten me ligjvënës të lartë demokratë dhe republikanë, për të diskutuar mbi përpjekjet e nevojshme për miratimin e planit të tij ekonomik. Udhëheqësit e të dyja partive lanë të kuptohet se besojnë që propozimi do të miratohet nga Kongresi deri në afatin e caktuar nga Presidenti, mesi i shkurtit.

Njëri prej udhëheqësve të Kongresit, përfaqësuesi i pakicës republikane Xhon Bohner, dje dha fjalimin e përjavshëm të partisë së tij në radio. Zoti Bohner dhe grupi i ligjvënësve republikanë po propozojnë shkurtime të reja taksash dhe më pak shpenzime qeveritare se sa ofron plani i Presidentit.

"Ne i japim mundësinë familjeve, biznesmenëve, të mëdhenj e të vegjël, si dhe personave të vetëpunësuar, të mbajnë më tepër nga fitimet e tyre, në mënyrë që të nxisim investimet dhe të krijojmë miliona vende pune në sektorin privat,"- tha zoti Bohner.

Zoti Bohner tha se republikanët synojnë t’i paksojnë taksat për të gjithë. Ai tha se amerikanët “nuk mundet që në njërën anë të marrin hua dhe të paguajnë më tepër taksa dhe në anën tjetër të arrijnë përsëri mirëqenien e mëparshme.”

Plani i zotit Obama synon krijimin e të paktën 3 milionë vendeve të reja të punës dhe reformimin e sistemeve të arsimit, shëndetësisë, të ernergjisë dhe të transporteve.//lk



XS
SM
MD
LG