Lidhje

Presidenti Obama zhvillon fushatë intensive për planin e tij mbi stimulimin e ekonomisë

  • Paola Ufson
  • Shtëpia Bardhë

Barak Obama fillon sot javën e tij të parë të plotë si presidenti i Shteteve të Bashkuara, me fokusin tek ekonomia amerikane. Sot pritet të miratohet i emëruari i tij për postin e Sekretarit të Thesarit, Timothi Gaithner.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Herri Rid, ka thënë se dëshiron që kandidatura e zotit Gaithner të hidhet në votë sonte në mbrëmje. Zoti Gaithner ka qenë objekt kritikash për një gabim në pagimin e taksave disa vjet më parë, por megjithatë, kandidatura e tij pritet të miratohet në Senat.

Presidenti Obama këtë javë pritet të zhvillojë lobizëm me ligjvënësit për miratimin e paketës për stimulimin e ekonomisë, me një vlerë prej 825 miliardë dollarësh. Anëtarët e Bordit të Rezervës Federale është në plan të takohen të martën dhe të mërkurën për të diskutuar mbi normat e interesit.

Një raport që pritet të publikohet këtë javë, mendohet se do të informojë se prodhimi bruto i vendit për tremujorin e fundit të 2008-ës ka rënë me më tepër se 5 për qind. Po ashtu këtë javë pritet të publikohen edhe fitimet e kompanive më të mëdha amerikane.

Ndërkohë, Këshilltari kryesor për ekonominë i Presidentit Barak Obama tha dje se problemet financiare të vendit janë shumë serioze dhe se do të duhet një kohë e gjatë për zgjidhjen e tyre.

Lawrence Summers, Drejtori i Këshillit Kombëtar për Ekonominë në Shtëpinë e Bardhë tha dje në një intervistë televizive për programin “Meet the Press” të televizionit NBC, se plani i administratës synon rigjallërimin e tregjeve financiare, më tepër se sa konsolidimin e bankave.

Por udhëheqësi i pakicës republikane në Kongres, Xhon Bohner, tha në të njëjtin program televiziv, se administrata do të ishte më mirë të siguronte stimuj për bizneset e vogla dhe individët privatë, që ata të investojnë tek ekonomia.

Presidenti Obama do të zhvillojë lobizëm për të siguruar miratimin e paketës masive

Presidenti Obama po zhvillon një fushatë agresive për planin e tij. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Paola Ufson, presidenti do që paketa të miratohet deri nga mesi i shkurtit.

Të dielën Presidenti Obama dërgoi nënpresidentin dhe këshilltarin e tij kryesor për ekonominë për të dhënë intervista televizive, për promovimin e planit e tij mbi stimulimin e ekonomisë amerikane në krizë.

Në një intervistë që dha për programin CBS, nënpresidenti Xho Bajden paralajmëroi se kriza ekonomike e vendit po thellohet dhe se në këto kushte, nuk duher humbur kohë.

"Gjendja po bëhet për ditë e më keq. Nuk ka patur fare lajme të mira për ekonominë," - tha Nënpresidenti Bajden.

Ndërsa këshilltari për ekonominë në Shtëpinë e Bardhë, Lerri Samërs tha në programin “Meet the Press” të televizionit NBC, se ekonomia amerikane është më keq se ka qenë gjatë gjithë viteve pas Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se me qëllim që të kapërcehen sfidat ekonomike, Presidenti po përpiqet të verë një ekuilibër mes shpenzimeve të qeverisë së re dhe uljes së taksave.

"Presidenti po e trajton problemin në mënyrë të ekuilibruar. Ai ka treguar se është i hapur ndaj ideve të ndryshme. Nuk ka dyshim, që përmbajtja e paketës do të ketë ndryshime pasi të shqyrtohet në Kongres. Presidenti është i hapur ndaj ideve më të reja nga të gjithë," - tha zoti Samërs.

Rritja e shpenzimeve mbështetet nga shumica demokrate në Kongres, ndërsa pakica republikane kërkon shkurtimin e taksave.

Republikani më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bohner kongresmen i shtetit të Ohajos, thotë se plani që po qarkullon aktualisht në Kongres përmban plot shpenzime të panevojshme dhe nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’u ardhur në ndihmë amerikanëve të zakonshëm. Ai parashikon që republikanët do të votojnë kundër tij.

Zoti Bohner dha një intervistë dje emisionin “Meet the Press” të televizionit NBC.

"Në këto momente, duke patur parasysh shqetësimet që ne kemi lidhur me përmasat e paketës, nuk besoj se ajo do të votohet nga të gjithë", - tha ai.

Presidenti Obama u takua të premten me udhëheqësit e Kongresit nga të dyja partitë kryesore politike, për të disktuar mbi gjendjen ekonomike të vendit. Pritet që të martën ai të shkojë në Kongres për t’u takuar me udhëheqësit republikanë.

Paketa që është i është çuar për miratim Kongresit pritet të ketë vlerën e rreth 820 miliardë dollarëve kur t’i çohet për firmë Presidentit. Shtëpia e Bardhë thotë se synimi i saj është krijimi i 4 milionë vendeve të reja të punës, duke e ndihmuar të rimëkëmbet ekonominë e vendit, që ka humbur 2,6 milionë vende pune në vitin 2008.//lk

XS
SM
MD
LG