Lidhje

Këshilli i Evropës shqyrton çështjen e delegacionit të Shqipërisë


Komisioni i Procedurave në Këshillin e Europës do të diskutojë të martën rreth procedurave të ndjekura nga parlamenti në Shqipëri për zëvendësimin e kryetarit të delegacionit shqiptar Aleksandër Biberaj, pranë këtij institucioni.

Shkak për këtë është bërë kërkesa e një deputeti hungarez i cili ka kërkuar sqarime për vendimin e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Komisioni duhet të shprehet me vendim brenda 24 orësh dhe më pas t’ia përcjellë atë Asamblesë, e cila e shqyrton në bazë të rendit të saj të ditës.

Sipas deputetëve shqiptarë të opozitës në Strasburg, delegacioni shqiptar për herë të parë është me një mandat tranzitor derisa të shprehet Komisioni i Procedurave dhe janë të kufizuar të marrin pjesë në votime që lidhen me Shqipërinë.

Ndërsa përfaqësuesit e shumicës i thanë Zërit të Amerikës, se delegacioni shqiptar, është në funksion të plotë, duke ushtruar të gjitha të drejtat dhe kompetencat e tij, si çdo delegacion tjetër.

Në Tiranë ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës, kanë kritikuar direkt kryetaren Topalli dhe shumicën në pushtet për shkelje të hapur të procedurave, duke nënvizuar se në këtë mënyrë po cënohet imazhi i vendit. Por kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi i hodhi poshtë këto akuza dhe deklaroi se çështja është kompetencë e shumicës dhe kryetares së parlamentit.

Zëvendësimi i zotit Biberaj iu njoftua Këshillit të Europës me anë të një letre të kryetares Topalli. Ky veprim u cilësua si shkelje nga zoti Biberaj, pasi sipas tij nuk është zbatuar rregullorja dhe është anashkaluar parlamenti, i cili duhet të njoftohet për çdo ndryshim në përbërjen e delegacioneve të tij.

Nga ana e saj, zyra e zonjës Topalli njoftoi se vendimi ishte marrë për shkak të shkeljeve të rënda financiare, sipas saj, në udhëtime të paautorizuara e të kryera në emër të parlamentit nga zoti Biberaj, motiv të cilin, ky i fundit e ka konsideruar si një shpifje. //rd//

XS
SM
MD
LG