Lidhje

Presidenti Obama parashtron përparësitë e administratës



Presidenti amerikan Barak Obama tha se përparësitë e administratës së tij janë zgjidhja e krizës ekonomike në thellim, marrja e masave për të arritur pavarësinë energjetike dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Duke folur sot në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se ka udhëzuar agjencinë për mbrojtjen e mjedisit që të rishikojë një urdhër të administratës së presidetit Bush, i cili nuk i lejonte shtetet që të caktonin standarte më të repta se sa rregullat federale lidhur me nivelet tavan për çlirimin e gazeve. Presidenti i ri bëri gjithashtu thirrje për rregulla më të mira për ndotjet nga makinat në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama, në fillim të javës së parë të plotë në detyrë, bëri thirrje për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar ngrohjen globale. Ai tha se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Lidhur me ekonominë, ai tha se vendi nuk mund të lejojë vonesa apo shpërqëndrim vemendje nga paketa e re për stimulimin e ekonomisë.

XS
SM
MD
LG