Lidhje

Obama: Paketa ekonomike, urgjentisht e nevojshme


Presidenti Barak Obama tha se paketa e tij e rigjallërimit ekonomik është urgjentisht e nevojshme për të përballuar humbjet masive të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Viti 2008 ishte dëshmitar i humbjeve më të mëdha të vendeve të punës në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore. Deri tani, 2009-a nuk duket të jetë më mirë nga kjo pikëpamje.

Disa nga emrat më të njohur të korporatave amerikane, si Microsoft, Caterpillar dhe General Motors, njoftuan shkurtime të reja vendesh pune, duke e rritur më tej nivelin e papunësisë në vend, i cili ishte tashmë i lartë.

Këto njoftime nuk kaluan pa u vënë re nga Presidenti Barak Obama.

"Këto nuk janë thjesht shifra të shkruara mbi një letër. Ashtu si edhe miliona vendet e punës të humbura në vitin 2008, këta janë burra dhe gra punëtore, familjet e të cilëve janë tronditur, ëndrrat e të cilëve kanë mbetur pezull."

Zoti Obama bëri thirrje për miratimin e shpejtë nga Kongresi të paketës ekonomike prej 825 miliard dollarësh që synon të nxjerrë vendin nga recesioni dhe të hedhë bazat për rritje të qendrueshme. Plani parashikon gjithashtu shkurtime taksash për familjet me të ardhura të mesme dhe për bizneset e vogla si dhe shpenzime të reja federale për objekte infrastrukture, nisma për energjitë alternativë dhe masa të tjera.

Republikanët po i shtojnë gjithnjë e më shumë kritikat ndaj paketës, duke thënë se ajo është plot shpenzime të pajustifukuara. Por presidenti thotë se plani parashikon investime të rëndësishme dhe nuk duhet vonuar.

"Mezi pres ta nënshkruaj planin e rigjallërimit dhe rinvestimit i cili do të krijojë miliona vende pune për amerikanët dhe do të hedhë bazat për rritje të qendrueshmetë cilën e kërkon ekonomia dhe populli ynë. Këto janë kohë të jashtëzakonshme që kërkojnë veprim të shpejtë dhe të jashtëzakonshëm."

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë rreth paketës nga fundi i kësaj jave. Pastaj do të vijojë debati në Senat.

Presidenti Obama nuk është i vetmi që shqetësohet nga shkurtimet e fundit të vendeve të punës. Ja si shprehet Stuart Hoffman, kryeekonomist në Grupin e Shërbimeve Financiare PNC.

"Ky ortek njoftimesh për shkurtime të vendeve të punës vazhdon pa u ndakur. Këto kompani shohin një tabllo ekonomike botërore më të zymtë."

Në aspektin pozitiv, shitjet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara u rritën muajin e kaluar si pasojë e rënies së çmimeve në disa prej rajoneve më të prekura nga kriza e shtëpive. Kjo krizë u bë shkak për shtrëngimin e kreditit çka e tronditi rëndë ekonominë amerikane dhe u përhap me shpejtësi në botë.


Presidenti Obama, sot vizitë në Kongres

Presidenti Obama do të bëjë sot një vizitë në Kongres në kërkim të mbështetjes republikane për paketën e tij ekonomike.

Të premten ai u takua me udhëheqësit e Kongresit nga të dyja partitë politike, për të diskutuar mbi ekonominë. Paketa e tij ekonomike mund të kalojë të 820 miliardë dollarët.

Dje Presidenti Obama tha se përparësitë e administratës së tij janë zgjidhja e krizës ekonomike në thellim, masat për arritjes së pavarësisë energjitike dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Ai tha se ka udhëzuar agjencinë për mbrojtjen e mjedisit që të rishikojë një urdhër të administratës së presidentit Bush, i cili nuk i lejonte shtetet që të caktonin standarte më të rrepta se sa rregullat federale për nivelin e gazeve që çlirohen nga automjetet.

Presidenti i ri kërkoi gjithashtu që makinat e prodhuara në Shtetet e Bashkuara të jenë më efikase në përdorimin e karburantit. Ai bëri thirrje për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar ngrohjen globale. //ap



XS
SM
MD
LG